Skenë nga filmi 'Zgjoi'. Foto: QKK.

Një ditë para lajmit të madh për filmin ‘Zgjoi’

Akademia amerikane e Arteve dhe Shkencave të Filmit, do të shpallë nesër (08.02.2022) nominimet për edicionin e 94-të të çmimeve “Oscars” (Academy Aëards).

Si asnjëherë më parë, nominimet për këto çmime, me mjaft interes janë duke u pritur në Kosovë. Sidomos përzgjedhja e finalistëve në kategorinë e filmave të huaj.

Filmi “Zgjoi” (Hive) me regji të Blerta Bashollit është kandidat i Kosovës për “Oscars 2022”, në kategorinë për çimin e filmit më të mirë ndërkombëtar.

“Zgjoi” është përzgjedhur në listën e ngushë prej 15 filmave në këtë kategori. Pritjet janë që nesër, “Zgjoi” të jetë në pesëshen e finalistëve për këtë çmim.

Në shkurt të 2021 “Zgjoi” mori tri çmimet kryesore në “Sundance Film Festival”. Filmi mbështetët në histori të vërtetë të grave të Krushës së Madhe.

Që nga triumfi në “Sundance Film Festival”, vitin e kaluar “Zgjoi” ka korrur suksese në disa festival tjera.

Gjithashtu, është duke u shfaqur në shumë kinema evropiane, Amerikë, Australi e Zelandë të re.

Në Kosovës ka arritur rekord të shikueshmërisë, që nuk e ka arritur asnjë film tjetër.

Stafi i filmit ka bërë të ditur se “Zgjoi” mund të shihet online edhe në disa platforma, si: Vudu”, “Amazon Video”, “Kino Noë”, “iTunes”, etj.

Rrugëtimi i “Zgjoit”

Yll Uka producent i filmit ka thënë për KALLXO.com se Zgjoi tanimë ka siguruar distributorë në më shumë se 40 shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe distributorët “Kino Lorber” dhe “Zeitgeist” për Amerikën e Veriut me Kanada.

Gjatë këtij muaji filmi është duke u shfaqur edhe në Australi e Zelandë të Re.

Uka ka thënë se mbetet optimist për nominimin e filmit, duke pasur parasysh vlerësimet dhe punë që është bërë për promovimin filmit.

“Rreth filmit ‘Zgjoi’ ka punuar një ekip i tërë, duke përfshirë një ndër aktoret më të famshme në Hollyëood, Elizabeth Moss e cila u është bashkëngjitur në projekt si Producente Ekzekutive, një ndër menaxherët më të rëndësishëm të filmit, Jerome Duboz (klient i tij është edhe regjisori i filmit Parasite, Bong Jon Ho), Dua Lipa dhe agjentët nga agjencioni më i madh i artistëve në Amerikë CAA, dhe publicistët Josh Haroutunian dhe Sara Sampson”, ka thënë Uka.

Optimizmi për suksesin e mëtejmë të ‘Zgjoit” nuk mungon as në mesin e filmbërësve dhe kritikëve kosovarë.

Ben Apolloni ka thënë për KALLXO.com se “Zgjoi” trajton një temë të veçantë dhe nuk do t’i mungojë suksesi.

“Uroj që filmi të nominohet dhe mandej edhe të fitojë Oscar!”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Ilir Muharremi, kritik filmi, thotë për KALLXO.com se trajtimi i një teme mjaft të ndjeshme dhe realizimi e bëjnë “Zgjoi” një kandidat serioz për çmimin ‘Oscars”.

“Trajtimi temave vendore të cilat i kemi ende te freskëta, sikurse ‘Zgjoi’, janë ato të cilat e ngritin vlerën dhe tërheqin vëmendjen tek kritika e filmit dhe spektatori”, është shprehur Muharremi.

Filmi “Zgjoi” është filmi më i suksesshëm në historinë e kinematografisë kosovare.

“Zgjoi” fitoi çmime edhe 2 çmime në festivalin e filmit Valladolid në Spanjë dhe një çmimin e audiencës në edicionin e 62 të festivalit të filmit në Selanik në Greqi.

Një suksese te jashtëzakonshëm ‘Zgjoi” arriti edhe në kinematë kosovare, duke u bërë filmi më i shikuar vendor i të gjitha kohërave.

Rrëfimi i filmit

Zgjoi mbështetë në historinë e vërtet të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe e Rahovecit.

Paralelisht me kërkimet për burrin e zhdukur gjatë luftës, Fahrija, rolin e së cilës e luan Yllka Gashi, nis një biznes për të siguruar mbijetesën për familjen e saj.

Për të mbajtur biznes, përveç peripecive për gjetjen e burrit, Fahrija duhet të përballet edhe me paragjykimet dhe thashethemet e rrethit.

Përveç aktores Yllka Gashi, në film luajnë edhe: Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja dhe Shkëlqim Islami.

Ceremonia e dhënies së çmimeve “Oscars 2022” është planifikuar të mbahet më 27 mars 2022 në “Dolby Theatre” në Los Anxhelos-SHBA.