Një ditë pa Nexhmije Pagarushën, homazhe dhe vlerësime për primadonën shqiptare

Gjatë gjithë ditës së sotme, të rreshtuar një nga një, mijëra qytetarë nga i gjithë vendi kanë shprehur ngushëllimet e tyre për vdekjes e Nexhimje Pagarushës.

E pamja për vdekjen e Nexhmije Pagrushës po mbahet në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku familja Pagarusha- Mulliqi po pranon ngushëllimet për humbjen më të dashurës së tyre.

Bilbili i Kosovës i Kosovës, Nexhmije Pagarusha ka vdekur në orët e para të ditës së premte, më 7 shkurt 2020, pak muaj para se të mbushte 87 vjet.

Ajo i takon gjeneratës së parë të këngëtarëve shqiptar në Kosovë, e cila për më se 4 dekada ‘sundoi’ skenën muzikore në Kosovës.

Për kompozitorët dhe bashkëpunëtorët e saj, Nexhmije Pagarusha do të mbetet edhe për shumë kohë primadona e pa kaluar e muzikës shqiptare.

Vlerësimi nga bashkëkohësit

Sipas tyre, interpretimi brilant në skenë dhe zëri i saj e bën Nexhmije Pagarushën primadonën e pakaluar të këngës shqipe.

Ajo i dhuroi muzikës shqiptare prelat më të çmuara të saj.

Kompozitori Sami Piraj, ka thënë për Kallxo.com se këngëtarja Nexhmije Pagarusha ishte dhe mbetet ikonë e interpretimit të këngës shqipe.

Sipas tij, repertori i Nexhmijes është krijuar me këngë të cilat kërkojnë një vlerë të  jashtëzakonshme të interpretimit.

“Dëshmi e kësaj është repertori i saj, e që sot e kësaj dite mbeten ikonë e vlerave të realizimit të këngëve. Ajo kishte pranë një mjeshtër të realizimit të këngëve, burrin e saj, Rexho Mulliqin”, ka thënë ndër të tjerash Piraj.

Sipas kompozitorit Piraj, Nexhmije Pagarusha i mbeti besnik interpretimit të këngëve popullore shqipe.

Kurse, muzicienti Shaqir Hoti,l i cili bashkëpunoi nga afër me Nexhmijen, në një prononcim për Kallxo.com ka pohuar se Nexhmijen e kujton si ndër personalitetet më të kompletuara të kulturës shqiptare.

“Ajo ishte një këngëtare e veçantë e cila ku do që është prezantuar ka treguar zotësinë e saj. Besoj, nuk ka më si ajo. Ajo është ikonë e këngës, që dha shumë në kultivimin e kulturës dhe emancipimin e gruas shqiptare”, ka thënë Hoti.

Ndërsa biografi i parë i Nexhmije, Shaqir Foniqi, gazetar e publicist ka thënë një prononcim për Kallxo.com se Nexhmije Pagarusha ishte artistja më e madhe e këngës burimore shqipe.

Foniqi ka thënë se ajo kishte një pamje dhe një zë që vështirë përsëritet, siç ka thënë ai një ikonë e vërtetë që kurrë nuk e braktisi atdheun e saj.

“Mjafton t’ i them fjalët e shansonjerës së madhe Juliett Grecco, e cila thotë: Nexhmije Pagarushën nuk mund ta krahasoj me asnjë këngëtare, sepse mendoj se do ta fyeja”, ka thënë Foniqi.

Biografia

Nexhmije Pagarusha u lind më 7 maj 1933, në Pagarushë të Malishevës. Shkollën fillore e kreu në Malishevë, ndërsa më vonë u vendos në Prishtinë. Shkollimin e mesëm muzikor, solokëndimin e filloi në Beograd.

Karrierën e nisi më 1948, si këngëtare e Radio Prishtinës, duke qenë më vonë edhe këshilltare e produksionit muzikor të kësaj radioje, (tash Radio Kosova).

Për mbi 40 vjet, me interpretimet dhe zërin e saj të veçantë, Nexhmije Pagrausha apo “Bilbili i Kosovës”, siç quhej ndryshe, mbeti Primadona e muzikës popullore dhe asaj argëtuese shqipe.

Nexhmije Pagarusha është shquar edhe si aktore e filmit dhe teatrit.

Ceremonia mortore

Ceremonia e varrimin të Nexhmije Pagarushës do të bëhet nesër në fshatin e saj të lindjes, Pagarushë të Malishevë në ora 14:30.

Ceremonia e varrimin do të bëhet vetëm me pjesëmarrje të familjarëve të saj, siç ishte edhe amaneti i këngëtares, kanë bërë të ditur familjarët.

Por, paraprakisht gjatë ditës së nesërme në Prishtinës do të mbahen homazhe dhe akademia përkujtimore në Teatrin Kombëtar.

Nisja e kortezhit do të bëhet nga Teatri Kombëtar nga 11:30 – 12:00 duke parakaluar përgjatë sheshit “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti”, deri tek Hotel Grand.

Sipas njotimit të familjarëve të Nexhmije Pagarushës të gjithë qytetarët mund të marrin pjesë në parakalimin e kortezhit, pastaj ceremonia e varrimit do të jetë private/familjare.