Foto: Facebook/Lumbardhi.

Nisma ‘Lumbardhi përsëri publik’, pjesë e fituesve të çmimeve të Europa Nostra

Komisioni Evropian dhe Europa Nostra kanë shpallur të enjten fituesit e vitit 2022 për çmimet e evropiane të trashëgimisë, Europa Nostra, financuar nga programi i BE-së për Evropën Kreative.

Mes fituesve të këtij viti është edhe nisma “Lumbardhi Përsëri Publik”,  në kategorinë “Angazhimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve”.

Përmes një njoftimi, Europa Nostra bën të ditur se projekti “Lumbardhi përsëri publik” (Lumbardhi Public Again)  është një nismë e suksesshme për të shpëtuar Kinemanë “Lumbardhi” në Prizren nga privatizimi dhe shembja.

“Aktivitetet e tyre e kanë rifituar kinemanë si një vend trashëgimie që është kthyer në një qendër të gjallë për aktivitete kulturore”, thuhet në njoftimin e Evropa Nostra.

Po sipas Europa Nostra, ndikimi që ka pasur nisma “Lumbardhi përsëri publik” në komunitetin lokal është shumë cilësor dhe dallohet për mënyrën se si ka ndikuar në politikat dhe qëndrimet e trashëgimisë kulturore në rajon e më gjerë.

Ceremonia kryesore e ndarjes së çmimeve të Europa Nostra do të mbahet me 26 shtator 2022 në Pragë.

Nisma “Lumbardhi përsëri publik” është iniciuar nga DokuFest dhe EC Ma Ndryshe, pas dy fushatave në vitin 2007 dhe 2014, lansoi Fondacionin “Lumbardhi” në vitin 2015, i cili i arriti qëllimet e tij themeluese gjatë tetë viteve.