Nis sot në Kino ARMATA java e filmit kushtuar Ingmar Bergmanit

Organizuar nga Kino ARMATA në Prishtinë, në bashkëpunim edhe Ambasadën e Suedisë, Institutin Suedez, Institutin Suedez të filmit dhe Fondacionin ‘Ingmar Bergman’, nis sot nga ora 19:00 në Kino Armata java e filmit “Bergman 101”.

Përmes një njoftimi, Kino ARMATA bën të ditur se “Bergman 101” organizohet për të shënuar njëqindvjetorin e lindjes së Ingmar Bergman, një prej kineastëve dhe dramaturgëve më të njohur të Suedisë.

Gjatë këtij aktiviteti, që do të zgjas deri më 21 dhjetor 2019, do të shfaqen tetë filma në Kino ARMATA, përcjellë edhe me biseda dhe aktivitete tjera për dhe rreth filmit.

Ernst Ingmar Bergman ka lindur më 14 korrik 1918 në Uppsala të Suedisë, ndërsa vdiq më 30 korrik 2007 në Faro. Ishte regjisor suedez i filmit dhe teatrit, tekstshkrues e menaxher teatri.

“Bergman, fitues i çmimit OSCAR, realizoi më shumë se 60 filma dhe 170 shfaqje teatrore, dhe ishte autor i mbi njëqind librave dhe artikujve. Ai është pa dyshim ndër suedezët më të njohur në botë dhe njihet si figurë kyçe në historinë e artit kinematik. Në fakt, Bergman është në grupin ekskluziv të filmbërësve – si Fellini, Antonioni, Tarkovsky – mbiemri i të cilëve rrallëherë duhet të asociohet me emrin: ‘Bergman’ që është koncept, një lloj i brendit në vete”, thuhte ndër të tjerash në njoftimin e Kino ARMATËS.

Me organizimin e “Bergman 101″ Kino ARMATA bëhet pjesë e kremtimit mbarë-botëror të njëqindvjetorit të Ingmar Bergman, i cili filloi më 2017 me iniciativën e Fondacionit ‘Ingmar Bergman’, që gjithashtu administron me arkivin ‘Bergman’ që është listuar si trashëgimi në UNESCO nga viti 2007.

Orari i filmave:

E premte (Sot), 13 dhjetor, 19:00h.
“Wild Strawberries”.

E shtunë, 14 dhjetor, 19:00h.
“Summer With Monika”.

E hënë, 16 dhjetor, 19:00h.
“The Seventh Seal”.

E martë, 17 dhjetor 19:00h.
“Persona”.

20:30h.
Bisedë: Lendita Zeqiraj dhe Veton Nurkollari.

E mërkurë, 18 dhjetor, 19:00h.
“Autumn Sonata”.

E enjte, 19 dhjetor, 18:00h.
“Fanny And Alexander”.

E premte, 20 dhjetor, 19:00h.
“Saraband”.

E shtunë, 21 dhjetor, 19:00h.
“Bergman Island”, Regjisor: Marie Nyreröd.

Të gjitha filmat do të shfaqen me titra shqip dhe anglisht, dhe hyrja është falas.