Kosovo Theater Showcase. Foto: Facebook/Qendra Multimedia

Nis sot edicioni i tretë i ‘Kosovo Theater Showcase 2020’

Shfaqja serbe “Balava”, hap sot në mbrëmje edicionin e 3-të të “Kosovo Theater Showcase”. Shfaqja “Balava”, prodhim i “Hearteface Fund” jepet në ora 20:00 në Teatrin ODA në Prishtinë.

Edicioni i sivjetëm i “Kosovo Theater Showcase” do të mbahet deri më 31 tetor 2020 dhe pritet që të shfaqen dhjetëra shfaqje teatrore, performanca e panele diskutimi për dhe rreth teatrit.

Sipas programit, shfaqjet dhe aktivitetet që mbahen këtë vit në kuadër të këtij festivali do të mbahen edhe në Teatrin Kombëtar, në Teatrin “Dodona”, në Gjilan e Ferizaj.

“Edicioni i tretë i Vitrinës së Kosovës do të mbahet nga data 27 tetor deri më 1 nëntor, 2020 në Kosovë. Së paku 10 shfaqje të prodhuara nga Qendra Multimedia, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Volksbühne Berlin, Teatri i Gjilanit dhe grupet teatrore nga Kosova, Serbia dhe Shqipëria”, thuhet në njoftimin e Qendrës Multimedia.

Ky edicion, sipas njoftimit të Qendrës Multimedia do të sjellë gjithashtu disa programe plotësuese; diskutime, panele dhe mbrëmje të tjera muzikore.

Po sipas organizatorëve të gjitha ngjarjet janë të hapura për pjesëmarrje fizike të publikut, duke respektuar vendimet dhe masat e marra nga institucionet relevante për parandalim të përhapjes së pandemisë COVID-19.