Nis sot edicioni i 12-të i festivalit të filmit ‘Hyjnesha në fron’

Edicioni i 12-të i festivalit të filmit “Hyjnesha në fron” hapet sot dhe do të zgjasë deri më 1 tetor 2019.

Ceremonia e hapjes së festivalit do të mbahet nga ora 19:30 në ish-amfiteatrin e ASK-së në Pallatin e Rinisë, në Prishtinë.

Në garë për njërin nga çmimet e këtij festivali janë gjithsej 9 filma të metrazhit të gjatë, 2 në programin special të festivalit, 22 filma të shkurtë dhe 5 filma dokumentarë.

Organizatorët e festivalit njoftojnë se gjatë ditëve të festivalit do të ketë aktivitete të ndryshme, siç është shfaqja e filmave në tren nga Prishtina në Pejë, e cila është pjesë e festivalit qysh nga edicioni i parë.

Në këtë edicion do të ketë një masterclass dhe një libër mikpritës gjate ditëve të festivalit

“E veçanta e këtij edicioni është organizimi i një ‘Masterclass’ me tema të ndryshme mbi orientimin në karrierë, në kuadër të artit në përgjithësi, po ashtu ‘Hyjnesha në Fron’ do të përgatitë një libër mikpritës gjatë ditëve të festivalit, e cila do të ju krijojë mundësi aktorëve profesionalë dhe atyre jo-profesionalë, të fotografohen në këndin e “casting”-ut dhe të dhënat e tyre personale të regjistrohen menjëherë në këtë libër”, ka thënë për Kallxo.com, Shkëlzen Sylejmani, drejtor artistik i festivalit.

Festivali ka karakter garues dhe do të ndahen edhe këto çmime: Aktori/ja me i mirë, skenari më i mirë, regjia më e mirë, filmi më i mirë, çmimi i special i festivalit “Hyjnesha në Fron”, filmi më i mirë i metrazhit të shkurtë, dokumentari më i mirë dhe çmimi special i festivalit për film dokumentarë.