Pamje nga hapja e Seminarit të 40-të të shqipes. Foto: KALLXO.com.

Nis Seminari i Gjuhës Shqipe, Abbott: Shqipja më veçanta ndër gjuhët indoevropoiane

Seminari i 40-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare ka nisur sot në Prishtinë.

Për dallim nga dy vitet e kaluar, Seminari 40-të i Gjuhës Shqipe i është rikthyer formës së tij tradicionale. Rrugëtimin e tij jubilar Seminari e nisi nga salla qendrore e mbushur plot me seminaristë në Bibliotekën Universitare.

Drejtues institucionesh, ambasadorë e albanologë thanë në hapje se seminari është ngjarja më e rëndësishme për albanologjinë.

Në mungesë të kryeministrit Albin Kurti, fjalën e tij e lexoi ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Duke cituar Kurtin, ajo tha se seminari është ngjarja vjetore më e rëndësishme për fushën e albanologjisë.

Ndërsa, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, theksoi se Gjuha Shqipe është më e veçanta prej gjuhëve indoevropiane. Ai vlerësoi edhe poetin Ali Podrimja, për stilin unik të shkrimit.

“Gjatë mësimit të gjuhës kam lexuar libra të Ali Podrimjes dhe më pëlqejnë poezitë e tij pasi janë të veçanta për shkrimin” – tregoi Abbott.

Ai tha se shqipen e mësoi për nëntë muaj dhe pavarësisht vështirësive ka vendosur të ruajë normat e gjuhës standarde.

Për Seminarin folën edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti dhe zëvendësrektori i Universitetit të Tiranës, Bernard Dosti. Sipas tyre, Seminari ka qenë dhe është urë lidhëse me qarqeve ndërkombëtare dhe ka nxjerrë albanologë e akademikë brenda dhe jashtë vendit.

Nga një fjalë rasti kanë mbajtur edhe Lindita Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë së Universitetit të Prishtinës, dhe Dhurata Shehri, bashkëdrejtuese e Seminarit nga Tirana.

“Seminari është ngjarja më e madhe e albanologjisë në botë”- tha Rugova, ndërsa Shehri pohoi se në disa segmente ajo çfarë ka ofruar seminari është injoruar e shpërfillura politikat arsimore e kulturore.

“Një ligjëratë që sot mbahet në Seminar nga politikat e arsimit si në Tiranë dhe Prishtinë vlerësohet si e serës së dytë apo tretë, apo provincial” – tha Shehri.

Pamje nga hapja e Seminarit të 40-të të shqipes. Foto: KALLXO.com.

Shkumbin Munishi, drejtor i Seminarit tregoi se mbi 100 seminaristë do të marrin pjesë në Seminarin e sivjetmë të shqipes.

“Interesimi kaq i madh është tregues se seminari vazhdon të jetë ngjarje kryesore e albanologjinë” – tha ai.

Drejtoria e Seminarit ndau edhe mirënjohje për ish-drejtorët dhe themeluesit e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Për seminaristët e huaj pjesëmarrja u mundëson atyre thellimin e njohurive për albanologjinë.

Anton Pançev, albanolog nga Bullgaria, pjesëmarrës i rregullt i Seminarit, profesor në Universitetin Sofjes, tha që Seminari dhe qyteti i Prishtinës po zhvillohen shumë shpejtë dhe ka ndikuar në të mirën e imazhit të Kosovës.

“Seminari i Prishtinës ka vlera për shkencën në përgjithësi dhe është më i mirë në Ballkan” – tha Pançev.

David Duda nga Polonia tha se ka ardhur të mësojë gjuhën shqipe dhe i pëlqen Prishtina.

“Kam miq në Shqipëri dhe Kosovës, kam ardhur për të mësuar më mirë shqipe, besoj se do të ndjek nivelin e dytë të kursit” – tha Duda

Vladimir Georgiev nga Bullgaria tha për KALLXO.com se është i kënaqur që është përsëri në Seminar.

“Ardhja përsëri ishte si një ‘déjà vu’ e mirë pas kthehen shumë përvoja, shumë njerëz që kam takuar më herët” – thotë ai.

Ai do të mbajë një referim lidhur me metodat inovative për mësimin e gjuhëve të huaja.

Gjatë ceremonisë së hapjes u ndanë mirënjohje për ish-drejtuesit dhe themeluesit e këtij Seminari.

Në edicionin e sivjetmë të Seminarit do të mbahen kurse të gjuhës shqipe për seminaristët e huaj në tri nivele.

Albanologë të njohur do të mbajnë ligjërata për gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare. Do të mbahen edhe referime e tryeza shkencore. Në ditë e fundit do të mbahen edhe sesionet shkencore, nga gjuhësia, letërsia dhe kulturologjia.

Seminari i 40-të i Gjuhës Shqipe do të zgjas deri më 26 gusht 2022.

Pamje nga hapja e Seminarit të 40-të të shqipes. Foto: KALLXO.com.