Nis puna për restaurimin e mullirit të Mehmet Alisë në Shkozë të Malishevës

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka hartuar projektin për rikonstruktimin e Mullirit të epërm të fshatit Shkozë të Malishevës.

QRTK-ja në Prizren  ka bërë të ditur se zbatimi i këtij projekti do fillojë së shpejti dhe konsideron se restaurimi ka rendësi kulturore, ekonomike e turistike.

Sipas QRTK-së në Prizren,  Mulliri i Mehmet Alisë apo i njohur ndryshe edhe si mulliri i sipërm i Shkozës është i ndërtuar në Luginën e Pagarushës, në afërsi të vendbashkimit të përroit të Janqistit dhe atij të fshatit Marali, në trekëndëshin mes fshatrave Marali-Goriq-Janqist..

Ky mulli është ndërtuar në fund të shekullit XVII.  Mulli i Shkozës ishte funksional deri në fillim të viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar, kur edhe u la pas dore. Mulliri megjithëse i shkatërruar gati tërësisht edhe sot e kësaj dite i ka themelet edhe mund të dallohet përskaj rrugës Marali-Goriq.

Rikonstruktimi i këtij mulliri do të mbikëqyret nga QRTK në Prizren në kuadër të zbatimit të programit masat preventive intervenimet emergjente të financuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.