Nis Java e Filmit Frankofon në Kosovë

Me shfaqjen e filmit “L’Esprit de famille” sonte në kino Armata ka nisur edicioni i 19-të i Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë.

Përveç filmave frankofonë pjesë e programit të këtij festivali do të jetë edhe filmi kosovar “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, i Kushtrim Bekteshit.

Gjatë një konference të mbajtur për media në vigjilje të festivalit organizatorët kanë pohuar se festivali do të sjellë komeditë më të mira nga Franca, Belgjika, Zvicra e Luksemburgu.

Ambasadorja e Republikës së Francës në Kosovë, Marie Christine Butel, ka thënë se sivjet temë e festivalit do të jetë komedia dhe humori.

“Kosova ka edhe rëndësinë e saj në botën e filmit të frankofonisë dhe kjo është edhe arsyeja pse këtë vit kemi vendosur që të nderojmë krijimtarinë bashkëkohore kosovare duke dekoruar regjisoren Blerta Zeqiri me urdhrin e arteve dhe letrave”, ka thënë ambasadorja  Marie Christine Butel.

Kurse  Albert Prenkaj, drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ka pohuar se për 19 vjet kjo javë mbledh dashamirësit e gjuhës dhe kulturës frankofone në Kosovë.

“Përmes aktiviteteve të tilla në theksojmë aktivitetin tonë të fuqishëm për forcimin e pranisë së gjuhës dhe kulturës frankofone në Kosovë. Por edhe angazhimin tonë për vlerat që na bashkojnë me familjen frankofone”, ka pohuar ai.

Gjatë kësaj konference kanë folur edhe përfaqësues nga ambasada e Zvicrës, Luksemburgut, nga misioni diplomatik belg dhe nga Ministria e Kulturës.

Festivali i Filmit Frankofon në Kosovë organizohet nga Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës, Belgjikës dhe Luksemburgut, Aleancën Franceze të Prishtinës, Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

Festivali këtë vit do shtrihet edhe në Prizren, Pejë, Graçanicë, Gjakovë dhe Mitrovicë.

Edicioni i 19-të i këtij festivali do të mbyllet më 18 nëntor në ora 19:00 me filmin nga Luksemburgu “Superjhemp Retorns” nga Felix Koch që do të shfaqet në Kino Armata.