Ceremonia e hapjes së ‘DokuFest 2024’. Foto: Xhorxhina Bami/KALLXO.com.

Nis edicioni i 23-të i festivalit “DokuFest 2024”

Është hapur edicioni i 23-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest” në Prizren.

Me temën “Rendi i ri”, edicioni i 23-të i “DokuFestit” synon e të eksplorojë ndryshime e peizazhit gjeopolitik global me një rend artistik përmes përzgjedhjeve të ndryshme të filmave dhe programeve tematike.

Në këtë edicion do të shfaqen rreth 250 filma nga vende të ndryshme, 103 prej tyre garojnë në tetë programet e festivalit.

Filmat do të shfaqen në 5 kinema në ambient të hapur dhe 4 kinema të mbyllura në qytetin historik të Kosovës.

“Gjithsej 3,325 filma nga 119 vende nga e gjithë bota janë dorëzuar për shqyrtim, nga të cilët ekipi programues i festivalit ka përzgjedhur 103 filma në tetë programe garuese, me një numër filmash që do të kenë premierat e tyre botërore, ndërkombëtare dhe evropiane, duke bërë ‘DokuFest’ një platformë e rëndësishme e shfaqjeve në këtë pjesë të botës, si për filmat dokumentarë ashtu edhe për filmat e shkurtër”- ka thënë drejtoresha ekzekutive e “Dokufestit”, Linda Llulla, në një bisedë për KALLXO.com.

Emra të njohur kinematografisë si: Anna Henckel, udhëheqëse e seksionit të filmave të shkurt në Berlinale, “Berlinale shorts” e film bërës nga Taivani, Ukraina, Gjermania, Austria e shumë vende tjera nga mbarë bota do të jenë pjesë e “DokuFest 2024”.

Kurse programet si “Focus Ukraine” dhe “Films on Palestine” janë programet me fokus të veçantë në këtë edicion të këtij festivali.

Edhe këtë edicion nuk do të mungojnë edhe performancat në kuadër të “DokuNights”, ku është paraparë të performojë edhe një bend nga Palestina.

“DokuFest 2024” ka filluar më 02.08.2024 dhe do të mbyllet më 10.08.2024.

Ceremonia e hapjes së ‘DokuFest 2024’. Foto: Xhorxhina Bami/KALLXO.com.