Nis bartja e 121 veprave të artit nga 'Grandi' për në Galerinë Kombëtare të Kosovës

121 veprat e artit, të cilat ishin të vendosura në Hotelin “Grand” në Prishtinë do të barten në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Ceremonia e pranim – dorëzimit të këtyre veprave është mbajtur sot, në Hotel “Grand” në prani të kryeministri të Kosovës, Abdullah Hoti, ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sporti, Vlora Dumoshi dhe drejtorit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj.

Kryeministri Hoti, ka thënë, gjatë kësaj ceremonie se është me rëndësi që këto vepra artistike po bëhen pjesë e pasurisë shtetërore që të ruhen për brezat e ardhshëm.

“Falënderojë gjithë punëtorët e Grandit të cilat i kanë ruajtur këto vepra që sot të vihen në dispozicion të artdashësve dhe gjithë qytetarëve, pasi ato po bëhen pjesë e GKK-së”, ka thënë kryeministri Hoti.

Ndërsa, ministrja Vlora Dumoshi ka thënë se koleksioni i veprave të Grandit numëron 121 vepra në pikturë, skulpturë, tapiceri, etj.

“Si ministre e Kulturës, bashkë me drejtoreshën Jehona Shyti kemi punuar për këtë proces, i cili ka filluar shumë herët, dhe me një koordinim me AKP-në arritën deri këtu dhe tani po bëjmë pranim dorëzimin e këtyre aseteve të trashëgimisë kombëtare të cilat për 30 vjet ishin në këtë hotel”, ka thënë Dumoshi.

Ndërsa, Valon Tolaj, drejtor i AKP-së ka kujtuar një takim me bashkëshorten e Agim Çavdebashës, që siç ka thënë ai ishte një motiv më shumë për bartjen e veprave në GKK.

“Ajo më tha për skulpturën e Agim Çavdarvashës: Shkoj shpesh në Hotelin ‘Grand’ e shikoj dhe më duket se çmallem me Agimin”, ka thënë Tolaj.

Javën e kaluar Qeveria e Kosovës mori vendi që 121 veprat e artit të cilat ndodhen në Hotel “Grand’ të barten në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Për mëse 30-vejt këto vepra ishin pjesë e Hotel “Grandit” i cili është në proces të privatizimit.