Foto: Facebook/ Teatri Kombëtar
Nga shkurti nis Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit Online
Teatri Kombëtar në Tiranë në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim SpahiVogli” do të organizojë për herë të parë, “Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit Online”.
Ky festival është i hapur për të gjithë teatrot e trevave shqipfolëse.
Përmes një njoftimi në Facebook, organizatorët ftojnë të gjithë teatrot zyrtarë dhe skenën e pavarur të bëhet pjesë e këtij festivali, që mbahet me moton: ‘Teatri vazhdon” .
“Të gjitha shfaqjet do të transmetohen drejtpërdrejt në Facebook-un e Teatrit Kombëtar dhe në Facebook-un e teatrove pjesëmarrëse, duke filluar prej datës 23 shkurt 2021”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar në Tiranë në Facebook.
Sipas këtij njoftimi institucionet teatrore ftohen t’ i dërgojnë një shfaqje të regjistruar me të cilën do përfaqësohen në festival.
Në njoftim janë cekur edhe kriteret për transmetimin e shfaqjeve. Ndërkaq, skena e pavarur, sipas njoftimit ka afat që deri në datë 29 janar 2021, ora 12:00, për të dërguar shfaqjen me të cilën do përfaqësohet në festival.