Nga data 27 deri më 29 qershor në Beograd do të mbahet festivali 'Mirëdita, dobar dan!'
Edicioni i sivjetëm i Festivalit “Mirëdita, dobar dan!” do të mbahet nga data 27 deri më 29 qershor 2024 në Beograd – Serbi.
Festivali “Mirëdita, dobar dan!” organizohet që nga viti 2014, nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR, Serbia), Integra (Kosovë) dhe Iniciativa Qytetare (CI, Serbia) dhe mbahet një vit në Prishtinë dhe një vit në Beograd.
Organizatorët kanë thënë se edicioni i sivjetëm i këtij festivali do të prezantojë një përzierje unike të artit, kulturës bashkëkohore dhe diskutimeve domethënëse që hedhin dritë mbi tema historike kyçe, si dhe të orientuara drejt së ardhmes, veçanërisht të rëndësishme gjatë kësaj periudhe sfiduese për marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Festivali nisë hapjen zyrtare me shfaqjen e “Babai dhe babai”, nga dramaturgu Jeton Neziraj, me regji të Kushtrim Koliqit, e cila është planifikuar për të enjten, më 27 maj, në orën 19:30 në “Dorcol Platz”.
Gjatë festivalit do të organizohen edhe debate që trajtojnë marrëdhëniet dhe shkëmbimet kulturore në mes Kosovës dhe Serbisë, prezantim të filma të regjisorëve kosovarë.
“Përveç kësaj, bendi i njohur kosovar “La Fazani”, i udhëhequr nga karizmatiku Arbër Salihu, do të performojë në “Elektropionir” (Cetinjska 15) të premten, më 28 qershor, në orën 21:00. Bendi arriti fitoren në konkurrimin e vitit të kaluar për zgjedhjen e përfaqësuesit të Kosovës në Eurovizion, pavarësisht se Kosova ende nuk është pranuar si pjesëmarrëse në këtë ngjarje”- thuhet në njoftimin e organizatroëve të festivalit ‘Mirëdita, dobar dan!”.
Gjithashtu gjatë këtij festivali është planifikuar edhe mbajtja e ekspozitës së artistes vizuale Ermira Murati, e njohur artistikisht si ‘The Orange Girl’, në orën 19:00 në “Endžio Hab” (28 qershor).
Vitin e kaluar, Festivali “Mirëdita, dobar dan!” është mbajtur në Prishtinë, nga 4 deri më 6 maj 2023.