Nexhmije Pagarusha, institucion kulturor i Kosovës

Mijëra qytetarë i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushës.

Homazhet dhe akademia përkujtimore shtetërore për ndër të Nexhmije Pagarushës është mbajtur gjatë ditës së sotme në Teatrin Kombëtar.

Pas përfundimit të akademisë arkivoli me trupin e këngëtares është nisur drejt vendlindjes së saj, ku do të varroset në një ceremoni familjare sipas testamentit të saj.

Zyrtarë të lartë shtetërorë, ambasadorë, personalitete të artit dhe kulturës gjatë akademisë përkujtimore kanë dhënë vlerësime për kontributin artistik të Pagarushës.

Sipas tyre, Nexhmije Pagarusha është institucion kulturor i Kosovës.

Vjosa Osmani, kryetare e Parlamentit të Kosovës, ka thënë gjatë fjalës së saj se Nexhmije Pagarusha ishte dhe mbeti frymëzimi i gjeneratave të tëra kosovare për të jetuar një shoqëri të lirë dhe të barabarta.

“Nexhmija i shtynte  ëndrrat tona në krijimin një bote që i shuan konturat e një shoqërie të mbyllur dhe e bën atë të varur ndaj vlerave kulturore e muzikore. Ajo siç e krijoi identitetin e muzikës shqipe duke e nxjerrë nga konturat e vjetruara, ajo e krijoi edhe identitetin e shoqërisë shqiptare të Kosovës”, ka thënë  kryeparlamentarja Osmani.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti ka thënë se Nexhmije Pagrausha ishte një  artiste e thjeshtë, por e madhe, e përkushtuar dhe një artiste që jetonte për atë që bënte.

“Nexhmija ishte një vajzë nga fshati, larg kryeqytetit ku jetonin dhe vepronin njerëzit e artit dhe të kulturës, në një kohë e një botë që nuk të ofronte mundësi dhe nuk ta falte suksesin. Por, doli një grua nga fshati që i sfidoi paragjykimet e kohës dhe pasuroi kulturën e qytetit dhe të mbarë kombit. Ajo la pas vetës 5 albume me 88 këngë, secila më e mirë se tjetra”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kurti ka kujtuar edhe koncertin e fundit të Nexhmije Pagrushës më 1984 në Sarajevë.

“Nexhmija la skenën, por jo këngët e saja. Këngët e saj do të mbeten përjetë në skenë dhe do të këndohen nga secila gjeneratë. Me muzikën e saj ajo e lartësoi kombin”, ka thënë Kurti.

Qemal Minxhozi, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, ka përcjellë ngushëllimet e krerëve, institucioneve dhe qytetarëve të Shqipërisë për Nexhmije Pagarushën.

“Është e para herë që zonjën e madhe të këngës nuk e kemi në mesin tonë. Pagarusha jonë u rrit pa nënë, por dashuria për Kosovën, Shqipërinë e më gjerë, e bën nënë e kombit shqiptar”, ka thënë Minxhozi.

Kurse, kompozitori Rafet Rudi është shprehur se Nexhmija ka përfaqësuar bukurinë e muzikës sonë popullore duke qenë shenja me të cilën muzika jonë popullore është njohur në ish -Jugosllavi, Ballkan dhe më gjerë.

“Për më tepër bukuria e zërit të saj ka përcaktuar koordinatat identifikuese të  muzikës sot popullore. Në periudhën kur Nexhmija filloi incizimet e para tonike, në atë periudhë ne kemi filluar ta njohim më qartë muzikën tonë. Incizimet që ajo na ka lënë kanë përcaktuar qartë fizionominë e muzikës sot popullore dhe përmes muzikës saj ne përfundimisht e kemi njohur veten”, ka thënë Rafet Rudi

Ndërsa në fund ka folur edhe njëra nga mbesat Nexhmijes, Mirjeta Mulliqi.

Pas akademisë përkujtimori kortezhi me trupin e pajetë të Nexhmije Pagarushës  është nisur ngadalë përgjatë sheshit “Nënë Tereza”, deri te hotel “Grandi”.

Nga aty, makina me arkivolin e ikonës së muzikës shqipe udhëtoi drejt fshatit Pagarushë të Malishevës, ku do të zhvillohet ceremonia e varrimin, ashtu siç edhe kishte lënë amanet këngëtarja.