Nesër shfaqet premiera e baletit, “Entre dos Aguas” & “Troy Game”

Me shumë sfida, Baleti Kombëtar i Kosovës ka arritur të përgatis premierën e parë për këtë vit, “Entre dos Aguas” & “Troy Game”.

Premiera e kësaj shfaqje, me koreografi të Robert North, do të jepet nesër në ora 19:00 në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Gjatë një konference të mbajtur sot për media, ushtruesi i drejtorit të të BKK-së, Kreshnik Musolli, ka thënë se pavarësisht problemeve që është përballur stafi për përgatitjen e premierës, publiku do të ketë rast të shohë një shfaqje të realizuar.

“Kemi pasur shumë komplikimi sa i përket çështjes së furnizimit me materialet, si për kostumet, ashtu edhe për skenografinë, kemi pasur vonesa shumë të mëdha dhe ato kanë shkaktuar shumë probleme sa jemi detyruar që edhe kostumet me i qepë tek rrobaqepësit privat”, ka thënë Musolli.

Realizimi i kësaj premiere, në mungesë të koreografit, për shkak të situatës, është bërë nga dy asistentët, Lala Balkan dhe Julian Moss.

Shfaqje përbëhet nga dy pjesë, “Entre dos Aguas”  një pjesë me muzikës spanjolle dhe “Troy Game” vetëm me meshkuj dhe inspiruar nga artet marciale japoneze, braziliane, etj.

Shfaqja do të jepet duke respektuar masat e fundit të Qeverisë kundër COVID-19.