Ferri. Foto: Facebook/Kushtrim Mehmeti

Nesër në Skenderaj jepet premiera e shfaqjes "Ferri"

Nesër, më 25 shtator, në “Parkun Amerikan të Lirisë” në Skenderaj jepet premiera e shfaqjes “Ferri” me regji të Kushtrim Mehmetit. Shfaqja fillon nga ora 20:00. Gjatë shfaqjes do të respektohen masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë së coronavirusit.

Shfaqja “Ferri” vjen në një kohë kur aktivitetet teatrore për publikun janë ndërprerë për shkak të pandemisë dhe shumë prej aktiviteteve kulturore po shfaqen online në rrjetet sociale.

E bazuar në veprën “Komedia hyjnore” të Dante Aligerit, shfaqja e Mehmetit shtjellon probleme me të cilat përballet shoqëria moderne.

Regjisorit dhe stafit të shfaqjes u janë dashur tre muaj prova, qoftë përmes platformave online apo në ambiente të hapura, deri në përgatitjen e premierës.

“Provat e para i kemi mbajtur në platforma online, më pastaj kemi vazhduar të takohemi në parqe dhe ambiente të ndryshme në vendin tonë. Për 6 ditë kemi qëndruar në Dedi (një fshat në Mitrovicë) gjithë ekipi së bashku, prova të çdoditshme dhe biseda të gjata. E sigurisht edhe njohje me një vend që më parë nuk e dinim as që ekziston. Tash e dy javë provat i kemi mbajtur në Skenderaj në parkun e qytetit në vendin ku edhe do të mbahet shfaqja”, ka thënë regjisori Mehmeti për KALLXO.com

Pas premierës në Skenderaj, javën tjetër shfaqja do të prezantohet edhe në Prishtinë.

“Shfaqja, javën tjetër do të jepet edhe në parkun e qytetit në Prishtinë, gjithmonë duke llogaritur edhe kushtet atmosferike edhe situatën me pandeminë. Plane janë që shfaqja të vazhdojë prezantimin qoftë brenda vendit apo edhe jashtë”, ka thënë regjisori Kushtrim Mehmeti.

Realizmi i kësaj shfaqjeje është mbështetur nga Komuna e Skenderajt.

Ekipi i shfaqjes

Rolet: Mikel Markaj, Blend Sadiku, Qendresa Jashari, Gentrit Shala, Florieta Bajraktari, Florent Salihu, Allmir Suhodolli, Mehmet Preteni, Florenta Bajraktari, Egzon Mustafa, Dorina Nishevci, Argjend Regjepi, Arbnora Ademi. Kontrabas: Lulzim Lushtaku; violë: Entela Qarkagjija, flaut: Flaka Surdulli, harmonikë: Ismet Kadishani. Grimi: Rozafa Salihu, ndriçimi: Skender Latifi

Ferri. Foto: Facebook/Kushtrim Mehmeti