Nesër jepet premiera e shfaqjes ‘Stiffler’

Në teatrin “Oda” në Prishtinë nesër jepet premiera e shfaqjes “Stiffler”, me tekst të Doruntina Bashës dhe regji të Kushtrim Koliqit.

Shfaqja “Stiffler” jepet në ora 20:00, ndërsa repriza e shfaqjes jepet të dielën (05.12.2021), po në teatrin “Oda” prej orës 20:00.

Shfaqja “Stiffler” është produksion i “Integra”-s.

Përmes një njoftimi për media, “Integra” bënë të ditur se shfaqja tregon përvojën e Havës, një punëtore seksi e therur me thikë në shpinë nga një klient i saj.

Hava i kalon 24 orë duke kërkuar ndihmë nëpër institucione dhe adresa të ndryshme, ku trajtohet e gjykohet si kriminele e jo si viktimë e një krimi.

“Shfaqja ka marrë titullin “Stiffler”, kështu duke portretizuar thikën të cilën Hava e mban të ngulur në shpinë përgjatë gjithë shfaqjes si simbol të asaj që ajo merr në secilin institucion e derë që troket për të kërkuar ndihmë, një tjetër thikë të ngulur në plagën që vazhdon t’i qëndroj hapur”, thuhet në njoftim.

Në shfaqje luajnë: Rebeka Qena, Adrian Morina dhe Armend Smajli.

Shfaqja “Stiffler” organizohet në bashkëpunim me Fondin për Zhvillim Komunitar, The Global Fund, Ambasadën e Suedisë në Prishtinë, Rockefeller Brother Funds, Kumunën e Prishtinës, Teatrin ODA dhe Qendrën Multimedia.