Nesër jepet premiera e baletit “Correr o Fado’

Baleti Kombëtar i Kosovës do të shfaqë nesër premierën e baletit “Correr o Fado” me koreografi të portugezit Daniel Cardoso.

Premiera e kësaj shfaqjeje do të jepet në ora 20:00 në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

“Correr o Fado’ është shfaqje bashkëkohore e bazuar në muzikën portugeze.

Koreografi Cardoso ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se shfaqja bazohet në muzikën portugeze, por që do të pëlqehet edhe nga publiku kosovar. 

“Kjo shfaqje bazohet në muzikën dhe vallëzimin tradicional portugez. Ka të bëjë shumë me kulturën time, është shfaqje bashkëkohore që ka të bëjë me marrëdhënie mes  grave dhe burrave dhe jep ide për rolin e tyre që kanë në shoqëri”- ka thënë koreografi Cardoso.


Vjollca Llugiqi, balerinë në trupën e BKK-së, tha se shfaqja është një muzikë fado, e cila është për herët të parë në Kosovë.

“Mendoj se po bëjmë një punë goxha të gjatë me dy kaste, kur them me dy kaste, është 8 balerinë në një natë dhe 8 balerinë në natën tjetër është një punë me shumë energji, pra do të jetë shafqja e veçantë, duke marrë parasysh që shfaqja me elemente të ndryshme të ujit ka me qenë diçka pak më e veçantë sesa shfaqjet tjera me skenografi”- tha ajo.

Ndërsa Sinan Kajtazi, drejtor i Baletit Kombëtar, tha për KALLXO.com se koreografi ka punuar nëpër trupa gjithandej nëpër botë, dhe në rajonin tonë, në Tiranë, në Kroaci, etj.

“Kështu që e kam kontaktuar me qëllimin që me pasë para publikut në Prishtinë, por pse jo edhe nëpër Kosovë, me pasë shfaqje nga repertori i tij. E kemi përzgjedhur bashkërisht shfaqjen ‘Correo o Fado’ meqë është një prej kryeveprave të këtij koreografi”-tha ai.

Repriza e kësaj shfaqjeje jepet të premten (9 qershor) në ora 20:00.