Nesër hapet Qendra për Edukim dhe Kulturë, ‘Libart’ 

Organizata ETEA do të hap nesër në Prishtinë, Qendrën për Edukim dhe Kulturë,  “Libart”. Në të njëjtën hapësirë do të funksionojë edhe “Biblioteka qarkulluese”, e cila hapet po nesër në të njëjtë kohë  nga ETEA.  

Qendra do të funksionojë në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, ndërsa ceremonia e hapjes do të mbahet nesër  nga ora 15:00 deri në 16:30, sipas rekomandimeve të institucioneve për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Për shkak të rrethanave të kushtëzuara nga pandemia dhe rekomandimeve të vazhdueshme që vijnë nga institucionet gjegjëse, përcjellja e kësaj ngjarjeje lejohet vetëm nga mediat e ftuara pasi numri i pjesëmarrësve është i kufizuar për të mundësuar distancën fizike”, thuhet në njoftimin e ETEA-s. 

Qendra për Edukim dhe Kulturë “Libart” mundësohet nga Komuna e Prishtinës, organizata ETEA dhe biblioteka “Hivzi Sylejmani”.  

Ndërsa, “Biblioteka qarkulluese me strategjitë e lexim kuptimit” mundësohet nga organizata ETEA dhe organizata The Library Project Kosova me mbështetjen e GIZ Kosovo. 

Ndërtesa e Bibliotekës së Komunës së Prishtinës, “Hivzi Sulejmani” | Foto: Atdhe Mulla