Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nesër do të protestohet kundër vendimit të Ministrisë së Kulturës për blerjen e veprave të artit

Lista përzgjedhëse e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporti për blerjen e veprave të artit nga artistë tanë në kuadër të Pakos së rimëkëmbjes ekonomike po kundërshtohet nga një pjesë e komunitetit artistik të arteve vizuale. 

Për ta kundërshtuar Listën ky komunitet ka paralajmëruar për nesër një protestë. 

Adriana Marku-Sedaj nga komuniteti  i artistëve të arteve vizuale ka thënë për KALLXO.com se protesta do të mbahet nesër (09.12.2021)  në ora 10:00 para MKRS-së. 

Marku-Sedaj ka thënë se komuniteti i artistëve vizualë është i indinjuar nga vendimi i MKRS-së dhe komisionit vlerësues për përzgjedhjen e përfituesve nga thirrja për blerje të veprave të artistëve tanë.

Ajo ka thënë se nga thirrja e cila ishte për blerje të veprave, në kuadër të Pakos për rimëkëmbjes ekonomike, do të duhet që në radhë të parë t’u ndihmohet artistëve pa të ardhura  e jo, siç ka pohuar më tej ajo, pikërisht atyre të cilët përveç që marrin paga prej institucioneve publike siç është UP-ja, të njëjtit përfitojnë po nga MKRS fonde nga konkurset që janë shpallur më parë nga Pakoja e rimëkëmbjes.

Pa dashur t’i nënvlerësoj veprat e të përzgjedhurve, por nuk ka logjikë kur është fjala për rimëkëmbje, 247,000 euro janë taksat e të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm të disa të preferuarve të komisionit”, ka thënë Marku- Sedaj nga komuniteti  i artistëve të arteve vizuale. 

MKRS ka publikuar listën përzgjedhëse të blerjes së veprave të artit të artistëve vendorë sipas thirrjes së hapur publike të shpallur më 08.10.2021. 

Sipas MKRS, komisioni vlerësues ka përzgjedhur për blerje 68 vepra arti të 68 autorëve vendas në vlerë prej 247 mijë euro.  

Ministria e Kulturës blen 68 vepra arti për 247 mijë euro