Nënshkruhet marrëveshja shumëpalëshe për filmin, QKK-ja pjesë e saj  

Është nënshkruar sot në Berlin, një marrëveshje shumëpalëshe në mes ‘Tatino Films”  dhe katër qendrave kombëtare të filmit: të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut.

Qendra Kinematografike e Kosovës, përmes një njoftimin në Facebook, ka bërë të ditur se në stendën e Kosovës dhe Shqipërisë në Berlinale u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit në mes të “Tatino Films” dhe Qendrës Kinemaktografike të Kosovës, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, Qendra së Filmit të Malit të Zi, e Agjensionit te Filmit të Maqedonisë Veriore.

Sipas QKK-së, kjo marrëveshje do tu mundësojë filmbërësve kosovarë trajnim, këshillim dhe mbikëqyrje nga ana 5 ekspertëve ndërkombëtarë në projektet e filmave fitues të metrazhit të gjatë të cilat janë në fazën e post-produksionit.

“Kjo do të realizohet përmes punëtorisë intenzive ‘First Cut Lab Balkans 2020’ që do te zhvillohet këtë vit. Qëllimi e kësaj punëtorie është të mundësohet arritja e potencialit artistik të filmave dhe njëkohësisht rritja e vlerës së filmave në tregun ndërkombëtar dhe prezenca e tyre në festivale të rëndësishme”, thuhet në njoftimin e QKK-së.