Nën ethet e COVID-19, Baleti Kombëtar po zhvillon provat për premierën e re - VIDEO

Koreografi turk me famë botërore, Mehmet Balkan është rikthyer në Prishtinë, pas disa vitesh.

Nën drejtimin e tij, balerinët e Baletit Kombëtar janë në vlugun e punës për realizimin e premierës, “Sisters”.

Koreografi Mehmet Balkan, pavarësisht situatës së krijuar nga COVID-19, ka pranuar ftesën e BKK-së për realizimin e premierës së re dhe së bashku me koreografen Lale Balkan, kanë nisur punën në fillim të nëntorit që premiera të jetë gati pas një muaji.

Koreografi Balkan, i cili e njeh mirë Baletin e Kosovës, sukseset dhe nivelin e këtij institucione, thotë se me një kujdes të përbashkët dhe përkushtim do të arrihet qëllimi.

“Tani të gjithë ne, jo vetëm në Evropë, por gjithë bota, po kalon momente të vështira, dhe për Baletin është shumë që të mos lëvizësh 6 – 7 muaj, kjo vërtet është shumë e rëndë. Por, ne do ta mundim koronën para se ajo t’na mund neve, unë besoj në këtë”, tha Mehmet Balkan.

Ai kërkon kujdes dhe mbështetje që premiera të jetë gati për publikun në datën e caktuar.

Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të BKK-së , Kreshnik Musolli, premiera e baletit, “Sisters” është planifikuar të shfaqet me 3 dhjetor. Musolli ka thënë se Baleti po zhvillon provat të rregullta më kujdes të shtuar për parandalimin e Coronavirusit.

“Për fat të mirë që nuk kemi asnjë rast të infektimit me Coronavirus, të gjithë po i mbajmë maskat dhe po mundohemi të jemi të kujdesshëm që të mos kemi ndonjë arsye të ndërprejmë punë dhe siç e shihni po mundohemi të bëjmë maksimumin edhe në këto rrethana”, tha ai.

Balerinët kosovarë janë duke dhënë maksimumin për realizmin e premierës së ardhshme. Balerinja Luljeta Ademi ka thënë se dy koreografët; Mehemet dhe Lale Balkan dhe trupa e njohin mirë punën e njëri tjetrit, duke bërë që gjithçka deri më tani të shkojë pa ndonjë problem.

“Provat po shkojnë mirë, njëherë për njëherë jemi duke shku në mënyrë graduale. Kemi fillu vetëm vajzat, pastaj djemtë, ndërsa sot jemi të gjithë bashkë, kështu po shpresojmë që kjo punë nuk do të ndalet”, tha ajo.

Baleti Kombëtar ndërpreu dhënien e shfaqjeve në mars për shkak të Coronavirusit, për t’i rifilluar në fund të shtatorit pas masave lehtësuese të marra nga qeveria.