Pamje nga festivali ‘Art Without Limit’ 2024. Foto: KALLXO.com.

Në Prishtinë po mbahet Festivali i filmit dedikuar personave me aftësi të kufizuara

Aktivitete të shumta janë mbajtur të hënën, më 02.12.2024, në ditën e dytë të edicionit të 5-të të Festivalit “Art Without Limit International Film Festival”, dedikuar personave me aftësi të kufizuara.

Edicioni i 5-të i këtij Festivali ka nisur më 01.12.2024 dhe po mbahet në Kino Armata në Prishtinë.

50 filma nga vende të ndryshme të botës janë pjesë e edicionit të sivjemë të këtij Festivali, duke përfshirë edhe aktivitete të tjera, si programe të veçanta dedikuar fëmijëve e fuqizimit të gruas, work-shope për filma e programe speciale.

Në ditën e dytë të Festivalit “Art Without Limit”, përveç programit të rregullt garues të filmave, është shfaqur një program i veçantë për fëmijë: muzikë e shfaqje filmash, kishte një panel diskutimi në kuadër të programit për fuqizimin e grave dhe janë shfaqur disa filma në kuadër të programit special “Vienna shorts”.

Qëllimi i këtij Festivali, sipas organizatorëve, është që të ngrihet vetëdija dhe një vëmendje më e madhe për personat me aftësi të kufizuara.

Regjisori Burim Haliti, drejtor artistik i Festivalit “Art Without Limit”, ka thënë për KALLXO.com se edicioni i sivjemë veçohet për pjesëmarrjen e madhe të filmave nga mbarë bota dhe programeve që kanë të bëjnë me fuqizimin e grave.

“Në ditën e dytë (02.12.2024) të këtij Festivali është mbajtur një program i veçantë për fëmijë ‘Art Without Limit Kids”, paneli “Gratë që thyejnë kufizimet përmes artit”, në kuadër të programit të fuqizimit të gruas, një panel diskutimi ky me pjesëmarrjen grave nga OJQ të huaja e vendase dhe nga institucionet shtetërore. Qëllimi i këtij Festivali është që të përçohen mesazhe pozitive, që të krijohet ndjesia dhe respekti për personat me aftësi të kufizuara, duke u kushtuar më shumë vëmendje”- ka thënë  regjisori Haliti.

Këtë edicion janë paraparë të mbahen edhe panele diskutimi e work-shope me artistë të ndryshëm.

“Këtë viti, do të mbajmë edhe panele diskutimi me artistë, sikurse një masterclas që do të mbahet nesër, më 03.12.2024, me regjisorin holivudian, Peter MacDonald, e work-shopin për animacion me regjisorin Artan Maku nga Shqipëria”- ka thënë Haliti.

Haliti ka thënë se çdo vit “Art Without Limit” realizon një film dokumentar për persona me aftësi të kufizuara.

“Këtë vit ne kemi realizuar një dokumentar për një djalë të ri nga Prishtina, i cili është i prekur me disklesi dhe disgrafi, që është një artist shumë i mirë i pikturës, fitues i disa çmimeve “- ka thënë ai, duke shtuar se këtë edicion do të ketë edhe shfaqje të disa filmave jashtë konkurrencës zyrtare, nga festivalet “Vienna Shorts film Festival” dhe “Europian Film Festival”.

Edicioni i 5-të i Festivalit “Art Without Limit International Film Festival” mbyllet të martën, më 03.12.2024, me ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Festivalit.