Në Muzeun Kombëtar u hap ekspozita që dokumenton krimet serbe gjatë luftës në Kosovë

Muzeu Kombëtar i Kosovës ka hapur sot ekspozitën me fotografi “Gjenocidi XX” të autorit Enver Hoxha.

Ekspozita përmban qindra fotografi të bëra nga Hoxha gjatë luftës në fshatrat e Podujevës dhe Prishtinës, përmes së cilëve dokumentohen krimet e kryera nga forcat ushtarake serbe kundër popullsisë civile shqiptare në muajt mars dhe maj të vitit 1999.

Hapja e kësaj ekspozite dhe fotografitë e bëra nga dr. Hoxha gjatë luftës u cilësuan si kontribut me vlerë historike dhe për të vërtetën e luftës së Kosovës.

Gjatë ceremonisë së hapjes u tha se institucionet kanë bërë pak për dokumentimin e krimeve të kryera nga forcat serbe dhe u kërkua rihapja e Institutit për krimet e luftës dhe themelimin e një muzeu të luftës.

Rrustem Mustafa-Remi, ish -komandant i Zonës Operative të Llapit, në ceremoninë e hapjes ka pohuar se kjo ekspozitë po vjen në një kohë kur po mjegullohet shumë çështja e gjenocidit të kryer nga forcat serbe në Kosovë.

Sipas tij, institucionet  e vendit edhe 20 vjet pas ngjarjeve nuk janë vënë në lëvizje për dokumentimin e fakteve.

”Ende nuk kemi një mekanizëm serioz dhe këtu sikur institucionet, mekanizmat apo edhe gjithë shoqëria kemi prirje të vihemi në shërbim të individit, kultit apo të një familje, jo të tërësisë, objektivave dhe idealit që e kemi ta ndërtojmë një shtet normal”, ka thënë Mustafa.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka pohuar se ndihet i shokuar nga dëshmitë e sjella përmes ekspozitës.

“Është një ekspozitë fotografike që bart në vete vlera historike. Për ata që kanë dyshim se në Kosovë është bërë gjenocid mjafton ta rihapin këtë ekspozitë”, ka thënë ndër të tjera ambasadori Minxhozi.

Kurse, Ismet Salihu, ka thënë së fotografitë e kësaj ekspozite dëshmojë për gjenocidin që është bërë gjatë luftës nga forcat ushtarake serbe ndaj popullsisë civile. Ai ka kritikuar qeveritë kosovare që nga çlirimi se kanë bërë pak për pasqyrimin dhe dokumentimi e krimeve serbe.

“Dëshmia më e mirë e mospunës dhe neglizhencës institucionale është edhe fakti se në korrik të vitit të kaluar qeveria mbylli Institutin e krimeve të luftës, i cili duhet të rihapet urgjentisht. Përveç kësaj duhet të themelohet edhe Muzeu i krimeve të luftës”, ka thënë Salihu.

Rihapjen e Institutit të Krimeve të Luftës e ka kërkuar edhe ish-deputetja Saranda Bogujevci, sipas së cilës nuk është bërë sa duhet për pasqyrimin e gjithë masakrave dhe humbjeve që ka përjetuar populli i Kosovës.

“Puna që e ka bërë doktori (Enver Hoxha) është e jashtëzakonshme, së pari ai ka qenë afër njerëzve që kishin nevojë dhe njëkohësisht ka arritur dokumentimin e krimeve që janë kryer”, ka thënë ajo.

Kurse, Ajet Leci, drejtor i Muzeut Kombëtar ka thënë se kjo ekspozitë paraqet të vërtetën e gjenocidit të kryer nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

“Fotografitë e kësaj ekspozite flasin më shumë se çdo tjetër, mbi atë kimet e kryera nga forcat serbe. E lusim autorin që disa prej fotografive të mbesin ne muze për të dokumentuar gjenocidin e kryera nga forcat serbe”, ka thënë Leci.

Në fund autori i ekspozitës Enver Hoxha pohoi se populli serb zakonisht ka vepruara sipas direktivave të akademisë serbe. “Fatkeqësisht kjo është duke e ngulfatur edhe procesin dhe vendet të cilat duan të aderojnë në BE”, ka thënë ndër të tjera ai.

Enveri Hoxha gjatë luftës ishte pjesë e stafit mjekësor në UÇK-së në Zonën Operative të Llapit. Punoi në spitalin ushtarak, por edhe në terren si mjek, ndërkohë që fotografoi krimet e bëra nga ushtria e policia serbe gjatë luftës në Kosovë.