Pamje nga ekspozita ‘Ky është një titull shumë i fuqishëm!’. Foto: KALLXO.com.

Në Hamamin e Prishtinës hapet ekspozita, që rrëfen rolin e grave e vajzave në shoqërinë kosovare

Ekspozita “Ky është një titull shumë i fuqishëm!” e autorëve Shqipe Kamberi dhe Mjellma Goranci-Firzi është hapur më 04.12.2024, në Hamamin e Madh në Prishtinë.

Kjo ekspozitë është iniciuar e mbështetur nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës dhe mbahet në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Përmes kësaj ekspozite janë prezantuar vepra arti që gërshetojnë traditën me modernitetin – duke vënë në pah rëndësinë që kanë gratë e vajzat në shoqërinë kosovare.

Sibel Halimi, drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Prishtinës ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, se ekspozita “Ky është një titull shumë i fuqishëm!” krijon një urë lidhëse mes të kaluarës e të tashmes – duke e vendosur këtë dialog, në një hapësirë historike të veçantë, si është Hamami i Kryeqytetit.

“Koleksioni i prezantuar përmban vepra arti që trajtojnë tema të thella e sfiduese, ku artistet kontribuuan në eksplorimin e ndikimit të strukturave shoqërore mbi jetën, identitetin dhe rolin e grave e vajzave. Kjo ekspozitë synon të jetë jo vetëm një hapësirë artistike, por edhe një thirrje për ndërgjegjësim e dialog shoqëror, mbi çështje jetike të barazisë gjinore dhe drejtësisë sociale.” – ka shkruar Halimi në Facebook.

Ekspozita, sipas saj, është mirënjohje për të gjitha artistet, të cilat me artin e tyre kontribuuan në emancipimin e shoqërisë kosovare dhe fuqizimin e të drejtave të grave e të vajzave.

Ndërkaq, Vullnet Jakupi, kurator i kësaj ekspozite, ka bërë të ditur se objektet historike janë dëshmi të historisë njerëzore. Sipas tij, struktura, forma e atmosfera e tyre na transportojnë menjëherë në një kohë dhe hapësirë tjetër.

“Ekspozita ‘Ky është një Titull Shumë i Fuqishëm!’ i dedikohet të gjitha këtyre grave të fuqishme dhe na fton të marrim pjesë në dialog të vazhdueshëm, për transformimin shoqëror. Duke ankoruar këtë dialog në një hapësirë historike, si Hamami i Madh i Prishtinës, ekspozita riafirmon rëndësinë e të kuptuarit të historisë – jo si një regjistër statik, por si një burim frymëzimi e ndryshimi.” – ka vlerësuar kuratori Vullnet Jakupi.

Pamje nga ekspozita ‘Ky është një titull shumë i fuqishëm!’. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita ‘Ky është një titull shumë i fuqishëm!’. Foto: KALLXO.com.

Pamje nga ekspozita ‘Ky është një titull shumë i fuqishëm!’. Foto: KALLXO.com.

Pamje nga ekspozita ‘Ky është një titull shumë i fuqishëm!’. Foto: KALLXO.com.