Foto: Kino 'Hyrije Hana'.

Në Gjakovë nis punën kinemaja ‘Hyrije Hana’

Pas më shumë se tri dekadave, Gjakova është bërë me kinema. Kino “Hyrije Hana” ka nisur punën pak ditë më parë, më 28 nëntor, në ish-hapësirën e kinemasë së dikurshme në Pallatin e Kulturës, “Asim Vokshi”, me shfaqjen e filmit  “Zgjoi” të Blerta Bashollit.

Kinemaja “Hyrije Hana” është hapur nga Kompania “Cacoo.shpk” me pronar Adnan Krasniqi.

Ilira Shala, drejtoreshë e Kino “Hyrije Hana” ka thënë për KALLXO.com se projekti për hapjen e kësaj kinemaje; adaptimin, instalimet elektrike, e pajisjet tjera, ka kushtuar rreth 600,000 euro.

Sipas saj, projekti për hapjen e kësaj kinemaje ka filluar 3 vjet më parë.

“Kinemaja gjendet në objektin e Pallatit të Kulturës ‘Asim Vokshi’ në qendër të qytetit të Gjakovës. Përurimi i parë është bërë në vitin 1979 dhe diku rreth viteve te 80-ta u mbylle nga regjimi serb. Ne si kompani private e kemi adaptuar dhe e kemi kthyer në gjendje që konkurron  edhe me kinematë botërore. Ka një kapacitet prej 250 ulëseve ku janë të përfshira ulëset VIP dhe ato familjare, teknologji të avancuar 3D dhe sistem zërimi dolby sorround”, ka thënë drejtoresha Shala.

Emri i Hyrije Hanës

Hyrije Hana ishte një prej personaliteteve më të njohura të kulturës në Kosovë dhe më gjerë. Ishte ndër aktorët e parë në Kosovës, një patriote dhe aktiviste për avancimin e të drejtave politike e kulturore të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Ishte pikërisht ky kontribut që ka shtyrë drejtuesit e Kompanisë  “Cacoo.shpk” që kinemanë ta emëronim me emrin e heroinës Hana.

“Ishte një ikone brilante, ndër aktoret dhe prezantueset e para të popullit tonë, e cila përkundër që i ishte mohuar skena kishte arritur të thyente tabut dhe zakonet e kohës duke u bërë shembull frymëzimi për të gjithë”, ka thënë Ilira Shala.

 

Foto: Kino ‘Hyrije Hana’.

Orari i shfaqjes së filmave

Shala thotë se në Kino ‘Hyrije Hana” do të shfaqen filma gjatë gjithë javës.

“Në ditët e punës terminët për shfaqjen e filmave do të fillojnë nga ora 13:00, termini i parë dhe ai i fundit në ora 21:00, e në ditët e vikendit termini i pare starton nga ora 11:00, pra do të kemi diku rreth 5 terminë mesatare në dite”, ka thënë ajo.

Kurse çmimi i biletave për të parë një filmi do të fillojnë nga 2 euro dhe varësisht prej orarit dhe filmit që do te shfaqet, përzgjedhja e karrigeve siç janë ato standarde, VIP apo familjare.