Burimi Kallxo.com

Në fillim të marsit, Teatri Kombëtar nis turneun nëpër komunat e Kosovës

Tri shfaqje të realizuara nga Teatri Kombëtar i Kosovës, nga 2 deri më 5 mars 2020, do të shfaqen në disa komuna të Kosovës.

Me moton “Teatri Kombëtar ËSHTË i Kosovës”, shfaqja e disa prej produksioneve në teatrot e qyteteve bëhet në kuadër të një turneu që TKK-ja do të ketë në disa qytete të Kosovës.

Përmes një komunikate për media, TKK-ja njofton se synon që çdo muaj të prezantojmë nëpër komuna të ndryshme, shfaqje nga repertori i TKK-së, duke qenë të bindur se Teatri Kombëtar i Kosovës nuk është vetëm për banorët e kryeqytetit, por i gjithë Kosovës.

“Në perspektivë synojmë të krijojmë një traditë të prezantimeve në për të gjitha komunat e Kosovës, aty ku ka kushte teknike për shfaqjen e produksioneve tona, duke qenë gjithnjë e më afër shikuesit dhe duke arsyetuar kështu edhe emrin që mban Teatri Kombëtar i Kosovës”, thuhet në njoftimin e TKK-së.

Datat dhe orari i shfaqjeve gjatë turneut të TKK-së:

Ferizaj, 02 mars 2020  me shfaqjen “Shfaqja e fundit e Marije Gjonit”.

Prizren, 03 mars 2020 “Sfinga e gjallë”.

Gjakovë 04 Mars 2020 “Karnavalet e Korçës”.

Gjilan 05 Mars 2020 “Sfinga e gjallë”.