Konferenca “Motërzimi: n’ kohë lufte dhe paqe”. Foto; KALLXO.com.

Në Festivalin ‘FemArt' vihet në pah roli i grave në promovimin e paqes gjatë luftërave në ish-Jugosllavi

Gratë nga Kosova dhe rajoni kanë dhënë një kontribut të madh për promovimin e paqes gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet ‘90 të shekullit të kaluar.

Pavarësisht pengesave e kërcënimeve, ato nuk u ndalën së vepruari bashkërisht për të promovuar paqen mes popujve dhe protestuan kundër luftënxitësve. Megjithatë, ky kontribut ende nuk ka marrë vlerësimin e duhur, sidomos këtu në Kosovë.

Kështu u tha gjatë konferencës për paqe “Motërzimi: n’kohë lufte dhe paqe” që u mbajt të hënën, më 30.09.2024, në Hotel “Grand” në Prishtinë, në kuadër të Festivalit “FemArt”.

Gjatë kësaj konference, e cila u moderua nga Jeta Xharra, drejtoreshë dhe kryeredaktore e BIRN Kosova, aktiviste nga Kosova dhe rajoni treguan për aktivitetin e tyre dhe grave të tjera për ndërtimin e paqes ndëretnike gjatë dhe pas luftërave që shkaktuan tragjedi në rajon.

Gjatë konferencës “Motërzimi: n’kohë lufte dhe paqe” u tha se pavarësisht se regjimi i Sllobodan Millosheviqit (ish-presidenti i Serbisë gjatë viteve ’90) shkaktoi dhe nxiti urrejtje ndëretnike, veçmas shqiptaro-serbe, ku bëheshin ligje diskriminuese, gra të guximshme nga Kosova e Serbia promovuan paqen.

Kurse organizatorët thanë se qëllimi i kësaj konference është të nxisë dialogun, të ndajë përvojat dhe të forcojë lidhjet e motërzimit midis grave aktiviste që kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë rol vendimtar në ndërtimin e paqes.

Gratë përballë luftës

Konferenca nisi me prezantimin e hulumtimit të Valdete Idrizit “Qetësia mes diversitetit: Eksplorimi i periudhave paqësore në historinë e Kosovës në Jugosllavi – periudha pas kushtetuese e vitit 1974”.

Valdete Idrizi gjatë prezantimit të saj tha se pavarësisht avancimit të stasusit të Kosovës në kuadër të ish- Jugosllavisë pas Kushtetutës së vitit 1974, qoftë në aspektin social, arsimor e kulturor, pozita e shqiptarëve ishte mjaft diskriminuese.

“Shkalla e analfabetizmit ishte shumë e madhe, vitet 1960-1970 ishin dëshmi e rritjes së frustrimeve pasi shqiptarët kërkonin avancime më të mëdha politike e kulturore, ndërsa Kushtetuta e vitit 1974 solli avancime, mbetja e Kosovës si pjesë e Serbisë krijoi terren për trazirat e mëvonshme”- tha ajo.

Ndërkaq, si pjesë e panelit të parë të konferencës “Aktivizmi feminist i viteve të 90-ta në rajon: Motërzimi n’kohë lufte”, aktivistja Igo (Igballe) Rogova, duke kujtuar pasoja e pushtimit të institucioneve të Kosovës dhe largimin e dhunshëm të punëtorëve shqiptarë nga ana e Serbisë në vitet 1990 tha se regjimi i Millosheviqi shkatërroi bashkëjetesën dhe nxiti urrejtjen ndëretnike në Kosovë.

Por, tha ajo, këtij regjimi iu kundërvunë gra shqiptare dhe serbe.

Ajo ka kujtuar edhe rolin dhe kontributin e OJQ “Gratë në të zeza” nga Beogradi në mbrojtje të grave nga Kosova.

“Më ka mahnitur veprimi i këtyre grave të cilat nuk u zmbrapsën, përkundër kërcënimeve, ofendimeve e sulmeve, në veprimet e tyre kundër luftës, por edhe në mbrojtje të grave të Kosovës”- tha ndër të tjera Rogova.

Gjatë këtij paneli për promovimin e paqes gjatë asaj periudhe folën edhe Vjosa Dobruna, Jadranka Miliçeviq nga Bosnja dhe Hercegovina, Danijela Stanojeviq nga Kroacia e Vjollca Krasniqi.

Ndërkaq, Zana Hoxha, drejtoreshë e “FemArt”-it, tha për KALLXO.com se baza e feminizmit është motërzimi. Kështu që, sipas saj, në kohën kur bota shënon vuajtje të njëpasnjëshme, thirrja “Motërzim” në kohë lufte është domosdoshmëri për të siguruar paqe.

Drejtoresha Hoxha thotë se kjo konferencë tregoi se “Motërzimi” në kohë lufte na bën fitimtarë, kurse në kohë paqeje na siguron progres.

“U tha e u kuptua që koha për veprim është tani, që duhet të përballemi me përkushtim e vendosmëri përmes ‘FemArt’-it, duke e ditur se të bashkuar në njerëzoren tonë, kemi fuqinë për të transformuar botën dhe për të ndërtuar një të ardhme në paqe për brezat që do të vijnë. Duke përqafuar motërzimin – empatinë, dhembshurinë dhe mirëkuptimin -mund të shpresojmë të shërojmë plagët e së kaluarës dhe të trasojmë rrugën drejt një të ardhmeje më të drejtë dhe paqësore”- tha Hoxha për KALLXO.com.

Kurse në dy panelet e tjera të kësaj konference “Aktivistet gra të reja të rajonit: Motërzimi n’Kohë Paqe” dhe “Aktivistet Gra të Ukrainës: Qëndrueshmëria dhe motërzimi n’kohë konflikti”,  aktivistet folën për përpjekjet e tyre për vendosjen e paqes së qëndrueshme në rajon, të drejtat e njeriut, mbështetjen dhe aktivizmin për  krijimin e narrativave paqësore dhe mbështetjen e komuniteteve në kohë lufte.