Në 25 vjetorin e vdekjes, botohet vepra e plotë e Anton Çettës

Instituti Albanologjik i Prishtinës ka botuar komplet veprën e Anton Çettës, në 13 vëllimeve.

Botimi i plotë i veprës është bërë në 25 vjetorin e vdekjes së Çettës, njëri prej mbledhësve më të rëndësishëm të folklorit shqiptar.

Dega e Folklorit e IAP-së ka bërë të ditur se kishte planifikuar edhe promovimin e veprave të Çettës, por për shkak të pandemisë, promovimi është shtyrë për një kohë më të mirë.

“Dega e Folklorit e kishte planifikuar, që në ditën e sotme të bëjë përurimin e Kompletit të 13 vëllimeve të prof. Anton Çettës, projekt ky në të cilin u punua disa vjet dhe pas një pune intensive në muajt e fundit, këto ditë doli nga shtypi. Për shkak të rrethanave të krijuara me pandeminë dhe masave të marra në parandalimin dhe përhapjen e virusit Covid-19, përurimi do të bëhet pas vendimit për lehtësim të këtyre masave”, thuhet në njoftimin e Degës së Folklorit të IAP-së.

Sipas këtij njoftimi, kontributi i Çettës si nismëtar i mbledhjes, deshifrimit, klasifikimit, studimit e botimit të njësive të ndryshme folklorike në mënyrë institucionale, u bë bazament për hulumtuesit e studiuesit, të cilët u morën me studimin e folklorit dhe avancimin e mëtejshëm të folkloristikës.

Anton Çetta u lind në vitin 1920 në Gjakovë dhe vdiq më 4 nëntor 1995 në Prishtinë. U shkollua në vendlindje, Tiranë e Beograd. Ishte shkrimtar, profesor letërsie dhe njëri prej mbledhësve të folklorit shqiptar. Për shumë vjet  drejtoi Degën e folklorit në IAP. Në vitin 1990 u vu në krye të Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve. Në zgjedhjet e 1992, Anton Çetta u zgjidhet deputet në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës.

Kompleti i veprave të Anton Çettës. Foto: Facebook/IAP