Foto: KALLXO.com 

Ndryshe nga Beogradi, pa asnjë ekces kaloi festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’ në Prishtinë

Edicioni i tetë i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, që u mbyll të shtunën që shkoi, për herë të parë kaloi pa ndonjë incident apo protestë kundër mbajtjes së tij. Dhe kjo ishte hera e parë që ky festival u organizuar në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë. Nuk u fye askush nga pjesëmarrësit dhe të ftuarit nga Serbia, e as nuk pak sulme të organizuar ndaj tyre. Ndryshe, ndodhte secilën herë që ai u organizuar në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd.

Publiku prishtinas, përcolli me vëmendje dhe dashamirësi prezantimin e kulturës dhe artistëve serbë.

Por, kështu festivali “Mirëdita, dobar dan!” nuk kaloi në edicionet e kaluara, kur në shtatë edicione u mbajt në Beograd të Serbisë. Atje, edicionet e kaluar u përcollën me incidente e protesta të shumta, kërcënime të artistëve kosovar, e kontrollime të detajuara edhe të veprave të artistëve nga Kosova.

Gjatë ditëve sa zgjaste festivali, qytetarë të shumtë serbë, protestoni kundër mbajtjes së tij, ku nuk mungonin përleshjet e tyre e policisë. Në dy edicione e fundit, në 2019 dhe 2020, policisë beogradase i doli mjaft punë për të siguruar pjesëmarrësit dhe mbarëvajtjen e festivalit.

Përkundër Prishtinës, në Beograd, pjesëmarrësit e festivali sulmoheshin dhe fyheshin në baza nacionale.

Megjithatë, etiketimet, fyerjet dhe kërcënimet ndaj organizatorëve në Prishtinë, në rrjetet sociale apo forma tjera nuk kanë munguar, as këtë edicion.

Drejtori i ‘Integra”-s, Kushtrim Koliqi, organizator i festivalit, ka thënë për KALLXO.com se gjithçka ka shkuar mirë dhe, pavarësisht kërcënimeve dhe fyerjeve nëpër rrjetet sociale ndaj organizatorëve, nuk është shënuar asnjë incident apo sulme ndaj pjesëmarrësve apo kundër mbajtjes së festivalit, siç ndodhte në Beograd.

“Kemi kaluar pas asnjë incident, megjithatë gjatë dhe para organizmit të festivalit kur i kemi publikuar datat, kemi pas kërcënime, fyerje, etiketime gjatë gjithë kohës. Por e mira është se nuk ka pasur ndonjë sulm apo protestë. Me këtë shoqëria kosovare e ka treguar emancipim duke i respektuar iniciativat e tilla, edhe pse jemi të vetëdijshëm që ka grupe të ndryshme brenda shoqërisë kosovare që kundërshtojnë festivale të tilla, konkretisht ‘Mirëdita dobar dan!’”, ka thënë Koliqi.

Sipas tij, për organizimin e festivalit në Prishtinë nuk është bërë diçka e veçantë prej asaj çfarë kanë bërë organizatorët çdo vit për organizimin e edicioneve në Beograd.

Koliqi ka thënë se ka pasur një koordinim të mirë edhe me policinë për mbarëvajtjen e festivalit.

Ndërkaq, Rron Gjinovci, aktivist i shoqërisë civile dhe një nga pjesëmarrësit në festivalin “Mirëdita, dobar dan!”, ka thënë për KALLXO.com fryma miqësore dhe mbarëvajtja që përcolli edicionin e tetë të këtij eventi në Prishtinë, tregon se njerëzit në Kosovë nuk kanë disponim antiserb.

Sipas tij, në Kosovë reagohet vetëm ndaj serbëve që kanë një begraund negativ, duke pasur parasysh krimet që janë bërë në Kosovë.

“Në Kosovë nuk ekziston një disponim antiserb siç ekziston një disponim antishqiptar në Beograd”, ka thënë Gjinovci.

Sipas tij, në Beograd, media por edhe nga zyrtarë institucional, hapur përdoret fjala fyese “shiptari”, gjë që sipas tij, në Kosovës asnjë media nuk lejon që të ftuarit e tyre të përdorin fjalën fyese “shkije”.

“Në Beograd ekziston një ndjenjë e hapur antishqiptare. Në mediat në Serbi hapur përdorët shprehja fyese ‘shiptari’, kurrkush nuk e ndalon. Zyrtarët e institucioneve u referohen shqiptarëve të Kosovës si shiptari që e dinë krejt që është derivat fyes dhe kjo natyrisht se bënë që grupet e ndryshme të mobilizohen dhe të reagojnë ndaj shqiptarëve pa asnjë arsye”, ka thënë ai.

Pamje nga Festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’. Foto: Facebook/Kushtrim Koliqi

Edicioni i tetë, thirrjet për paqe

Pavarësisht se nisi një ditë pas zhvillimeve në Mitrovicën e Veriut, edicioni i tetë i Festivalit “Mirëdita, dobar, dan!” nisi paqësisht.

Në hapje, organizatorët bënë thirrje për paqe dhe forcim të marrëdhënieve mes serbëve dhe shqiptarëve, që është edhe misioni i këtij festivali.

“Ky festival ekziston për këtë, për t’u ballafaquar me probleme, është hapësira ku shqiptarët dhe serbët mund të zgjidhin problemet mes vete, por jo në mënyrën se si bëjnë politikanët. Ne nuk ëndërrojmë se në të ardhmen do të vijë një momentin kur shqiptarët dhe serbët do të pajtohen për të gjitha, por ëndërrojmë për një moment kur shqiptarët dhe serbët do të komunikonin me njëri-tjetrin dhe do të gjenin zgjidhje përmes bisedimeve, por, nuk duhet biseduar siç po bisedojnë liderët politikë, Kurti e Vuçiq”, potencoi në hapet të festivalit Ivan Gjuriq, drejtor programor i Iniciativës së të rinjve për të drejtat e njeriut (YIHR), njëri nga organizatorët e festivalit.

Gjatë edicionit të 8-të të festivali “Mirëdita, dobar dan!” u mbajtën një sërë aktivitetesh; shfaqje filmash, promovim librash; debate; ekspozita e performanca muzikore – përmes së cilave audiencës kosovare iu ofrua skena kulturore moderne serbe.

Edicioni i tetë i Festivalit ‘Mirëdita, dobar dan!” u mbajt nga 14 deri më 16 tetor 2021 në Prishtinë.

Pamje nga Festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’. Foto: Facebook/Kushtrim Koliqi

Qëllimi i Festivalit ‘Mirëdita, dobar dan!”

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, qëllim të vetin ka shkëmbimet kulturore në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe krijimi i lidhjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga persona aktivë në kulturë, media, shoqëri civile, nëpërmjet prezantimeve kritike dhe dialogut mbi çështjet bashkëkohore me të cilat ballafaqohet rajoni dhe promovimin e kulturës si një mënyrë bashkëpunimi dhe mësimi për njëri-tjetrin.

Deri më tani janë mbajtur 8 edicione të këtij festivali, shtatë prej tyre në Beograd, ku është prezantuar skena kulturore e Kosovës dhe i 8-ti në Prishtinë ku është prezantuar skena kulturore serbe.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” ka nisur në 2014.

Ky festival organizohet nga “Integra”, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, forumZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe “Rockefeller Brothers Fund”.

Pamje nga Festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’. Foto: Facebook/Kushtrim Koliqi