Ndarja e çmimeve "Dea Dardanicae", Parku Arkeologjik i Ulpianës, 2021. Foto: Arsim Canolli

Nderohen rapsodët e Kosovës me çmimin më të lartë në fushën e trashëgimisë kulturore

 

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, sivjet nderoi duetin e këngës folklorike-rapsodike Salih e Feriz Krasniqi (post mortum) me çmimin për veprimtari jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore “Dea Dardanicae”, çmimi më i lartë në këtë fushë.

Çmimet u ndanë nën patronatin e Ministres së Kulturës, znj. Vlora Dumoshi, e cila u shprehë se “më vjen mirë që pjesa më e madhe e çmimeve sot i kanë dhënë rëndësi pjesës së trashëgimisë shpirtërore, e cila Kosovës i duhet për ta pasuruar sa më shumë, duke i treguar identitetin tonë kombëtar dhe shpirtëror”.

Juria profesionale në përbërje të Vjollca Aliut (MKRS), Florina Jerliut (UP), Arben Hajdarit (UP), Artan Krasniqit (UP) dhe Lumnije Kadriut (IAP) kanë vlerësuar rapsodët e folklorit shqiptar Salih e Feriz Krasniqi për veprimtarinë e tyre jetësor si bartës, kultivues dhe promovues të këngës burimore shqiptare të Kosovës si trashëgimi kulturore shpirtërore e Kosovës.

Plaketa e çmimit “Dea Dardanicae” për duetin rapsodik, Salih e Feriz Krasniqi”. Foto: Arsim Canolli

Kush janë Salih e Feriz Krasniqi?

Në vlerësimin e jurisë u theksua se Salih e Feriz Krasniqi njihen dhe vlerësohen si dy protagonistët kryesorë të këngës burimore shqiptare, apo të këngës rapsodike të Kosovës.

“Si bartës dhe krijues popullor, dueti Krasniqi kanë kultivuar vlerat e bartura të këngës shqiptare si trashëgimi, duke rivitalizuar këngë të vjetra të zhanrit epik kreshnik, të zhanrit legjendar, lirik dhe historik, por edhe duke krijuar këngë të reja e variante autentike në këto zhanre. Rapsodët Krasniqi kanë lënë trashëgimi një repertuar prej mbi 500 këngësh burimore shqiptare, në variante e stile të ndryshme. Kështu, ky duet ka bartur artin popullor të këngës, duke e rigjallëruar dhe promovuar atë në gjithë Kosovën e përtej saj në viset shqiptare dhe diasporë”, theksohet në vlerësimin e jurisë, të cilin e kumtoi profesor Arben Hajdari në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Parkun Arkeologjik të Ulpianës, më 26 shkurt 2021.

Rapsodët Krasniqi vijnë nga fshati Drenoc i Llapushës, komuna e Malishevës. Këngën e kanë filluar qysh në moshën e fëmijërisë duke vazhduar traditën familjare. Në kulmin e veprimtarisë së tyre por edhe më vonë, ata do të njihen si model i duetit rapsodik dhe vepra e tyre ka inspiruar gjenerata të tëra të rapsodëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, dhe tutje në diasporën shqiptare.

Vepra e tyre është shenjë e identitetit muzikor shqiptar, vulë e pashlyeshme në historinë e këngës shqiptare të Kosovës, që ka frymëzuar brezat si për të mbajtur gjallë kujtesën e Kosovës, ashtu edhe për të monumentalizuar edhe mikrohistorinë e saj në variantin gojor.

Zani i Krasniqëve ve ka jehuar si këngë përcjellëse në jetën shqiptare të Kosovës, si në gëzime e ceremoni ashtu edhe në jetën e përditshme, në punë e në vetmi. Ky za i rapsodëve Krasniqi është bërë pjesë organike e identifikimit, njohjes, vlerësimit e promovimit të vlerave shqiptare, atyre të cilat shprehen në tregimin, melodinë dhe praktikën e këngës shqipe.

Vepra e tyre mbi 40 vjeçare si duet, dhe e vazhduar nga Feriz Krasniqi për më shumë se edhe një dekadë, është njohur, vlerësuar dhe çmuar nga populli, institucionet kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Vlen të theksohet se në festivalin ndërkombëtar, më të mirënjohurin në botë, Festivali Ndërkombëtar i Langolen-it në Mbretëri të Bashkuar, dueti në fjalë ka marrë çmimin e parë më 1966.

Pos në institucionin e dasmës dhe të ahengut të zakonshëm shqiptar, dueti Krasniqi ka marrë pjesë edhe në festivale lokale e institucione mediale (RTP). Kënga e tyre është incizuar, ruhet dhe studiohet edhe sot e kësaj dite si vlerë, pasuri e thesar i jashtëzakonshëm muzikor shqiptar. Instituti Albanologjik i Prishtinës ruan një numër të madh të këngëve të tyre dhe ka transkriptuar dhe botuar edhe këngë të tyre, por edhe interpretime etnomuzikologjike e folklorike të repertuarit të tyre.

“Një mori e këngëve të tyre, jehojnë dhe dëgjohen edhe në internet e medie të ndryshme sociale, duke i riaktualizuar vlerat që ky duet ka lënë si trashëgimi muzikore. Kështu, edhe në kuptimin e “rivitalizimit të trashëgimisë kulturore shpirtërore” që është esenca e Konventës së UNESCO-së për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore (2003), këta bartës, kultivues dhe promovues të trashëgimisë kulturore shpirtërore, përkatësisht të traditës së këngës burimore shqiptare, meritojnë të nderohen nga shteti i Kosovës”, thuhet në nominimin e Muzeut të Kosovës për duetin në fjalë.

Çmimi nderon gjithë rapsodët e Kosovës dhe folklorin shqiptar

 Çmimi “Dea Dardanicae” për rapsodët Krasniqi ka nderuar jo vetëm rapsodët Krasniqi, trashëgiminë që ata kanë lënë, por edhe gjithë rapsodët e Kosovës, folklorin shqiptar dhe trashëgiminë kulturore shpirtërore në përgjithësi. Ky çmim do të shtynte dashamirët, studiuesit, vetë popullin, por edhe institucionet e ndryshme, shtetërore e jo-shtetërore, edukative e hulumtuese, që të ruajnë, vlerësojnë dhe të bartin këtë trashëgimi kulturore shpirtërore edhe te brezat e ardhshëm.

Ndarja e çmimeve “Dea Dardanicae”, Parku Arkeologjik i Ulpianës, 2021. Foto: Arsim Canolli

Në vitet e fundit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka marrë disa nisma në realizimin dhe financimin e disa projekteve që bëjnë dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore të Kosovës, duke hapur bashkëpunime të reja ndërinstitucionale dhe me OJQ e profesionistë të fushës.