Ndahen çmimet për letërsinë

Shkrimtarja Sabile Keçmezi –Basha ka marrë çmimin Kombëtar për vepër jetësore, “Azem Shkreli” për 2019.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka ndarë sot çmimet vjetore për letërsinë për viti 2019.

Ceremonia e dorëzimit të çmimeve është mbajtur në kabinetin e ministres Dumoshi, e cila gjatë dorëzimeve të këtyre çmimeve ka çmuar kontributin krijuesve kosovarë.

“Në në këtë ditë të shënuar duhet  t’i kujtojmë njerëzit të cilët kanë dhënë një kontribut dhe kanë mbajtur letërsinë tonë të gjallë nëpër faza shumë të rënda që i ka kalauar populli ynë”, ka thënë ministrja Dumoshi.

Çmimi Kombëtar Letrar për vepër jetësore, “Azem Shkreli”  i është ndarë shkrimtares Sabile Keçmezi -Basha.

Çmimi për veprën më të mirë në prozë, “Anton Pashku” i është ndarë: Rrahman Paçarizit për veprën “Shtatë udhë” dhe Albina Idrizit për veprën “Përsëri mars”.

Edhe çmimi për veprën më të mirë në poezi, “Ali Podrimja” është ndarë në dy pjesë. Këtë çmime e morën: Xhevdet Bajraj për vëllimin “Kur qajnë hardhitë” dhe  Nexhat Rexha për vëllimin “Duke kërkuar hijen tënde”.

Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë, “Ibrahim Rugova”  i është dhënë Berat Dakës (Armagedoni) për studimin “Dramat e Qosjes”.

Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, “Pjetër Bogdani” i ka takuar Isa Memishi për përkthimin e romanit “Guaska” të Mustafa Halifas.

Ndërsa, shkrimtari Jonuz Fetahaj ka marrë çmimin për veprën më të mirë për fëmijë e të rinj, “Vehbi Kikaj” për veprën “Libri i përrallave të gjyshit”.