Sunny Hill Festival, Facebook
Organizatorët e festivalit 'Sunny Hill' thonë se komuna zvarriti procedurat për dhënien e pronës
Në qershor të vitit të kaluar, komuna e Prishtinës ka dhënë disa hektarë tokë në shfrytëzim për festivalin ‘Sunny Hill’ në fshatin Shkabaj. Kjo pasi festivali për tre vite po organizohej në parkun e qytetit ‘Gërmia’ në mungesë të një lokacioni të përhershëm.
Atë kohë, organizatorë të festivalit bënë të ditur se në këtë zonë do bëhen disa investime pasi prona ka qenë e braktisur.
Kapaciteti i parcelës së ndarë nga komuna mund të zë deri në 100 mijë persona nga 20 mijë sa kishte parku ‘Gërmia’.
Por, sipas organizatorëve, komuna nuk i ka kompletuar ende dokumentet për marrjen në shfrytëzim të kësaj parcele dhe e kanë të pamudur të nisin ndërhyrjet e nevojshme në këtë pronë.
Alban Kastrati nga ‘Republika Marketing Communications Agency’ që merren me organizmin e festivalit, për Kallxo.com ka thënë se vota e asamblesë së komunës ka ardhur pas dy vitesh dhe janë ende duke pritur finalizim të dokumenteve për marrjen e parcelës në shfrytëzim.
“Kjo votë unanime nga asamblistët e gjitha partive politike në Kuvendin Komunal të Prishtinës, erdhi pas dy viteve të pritjes nga qeverisja e kaluar komunale. Sunny Hill Festival ende është në pritje të finalizimit të plotë të dokumenteve për marrjen në shfrytëzim të parcelës nga Komuna e Prishtinës”, ka thënë ai.
Ai shtoi se nuk e dinjë përse komuna u vonua kaq shumë për të ndarë një pronë, duke potencuar se përpos dëmit që i është bërë festivalit, dëmton edhe ekonominë dhe kulturën e qytetit pasi ka penguar rritjen e festivalit.
“Arsyet pse kërkesa gati 2 vjeçare nuk është përfillë nga udhëheqja e vjetër komunale, apo pse dokumentacioni nuk është përpiluar si duhet mbetet pikëpyetje e madhe”.
“Kjo pritje e panevojshme dhe e pakuptueshme për ne, përveç dëmit që ia ka bërë festivalit, potencialisht e dëmton shumë edhe ekonominë e qytetit dhe kulturën e vendit tonë, sepse ia ka humbur kohën e nevojshme të përgatitjes sa më të mirë të festivalit dhe i ka vështirësuar planet tona për masovizim të platformës së Sunny Hill, e cila tashmë ka rëndësi dhe peshë të rëndësishme në gjithë rajonin”, shtoi ai.
Kastrati tutje theksoi se tek prona e ndarë nga komuna nuk po mund të bëjnë ndërhyrjet e nevojshme pa finalizim të këtij procesi.
“Tani jemi në pozitë kur duhet te veprojmë me shpejtësi ekstreme, dhe na duhet ndihmë prej të gjitha institucioneve për ta kompensuar kohën e humbur. Pa finalizim të plotë të procesit të marrjes së parcelës në shfrytëzim, ne nuk mundemi ta fillojmë punën dhe përgatitjet e terrenit për edicionin e ri të festivalit”, shtoi ai.
Sipas tij, këto ndryshime duhet të bëhen sa më shpejt nga qeverisja e re në Komunën e Prishtinës.
“Plotësim-ndryshimet e kërkuara duhet te finalizohen shumë shpejtë nga qeverisja e re në Komunën e Prishtinës, siç edhe po presim. Nëse plotësimet e nevojshme bëhen në takimin e parë të asamblesë, atëherë edicionin e ri të Sunny Hill Festival do ta mbajmë në lokacionin e ri”, shtoi tutje ai.
Nga ‘Republika Marketing Communications Agency’ u tha se kanë pasur kontakt me kryetarin Përparim Rama dhe kanë marr mbështetje të plotë për festivalin.
“Kemi kontakte me Kryetarin Rama dhe ekipin e tij, dhe kemi marrë zotime për mbështetje të plotë nga Komuna e Prishtinës, meqë Sunny Hill Festival ka qenë dhe është pjesë e programit zgjedhor të Kryetarit Përparim Rama. Vlen të thuhet se mbështetje të plotë kemi marrë gjithashtu edhe nga MAPL, Ministria e Kulturës, Presidenca dhe Kryeministria për ndihmë dhe mbeshtjetje të plotë për Sunny Hill Festival”, u tha tutje nga organizatorët.
Nga komuna e Prishtinës nuk kanë dhënë ndonjë detaj se deri ku ka shkuar procedura me dokumentet për këtë parcelë.