
Eurovision 2023
Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut tërhiqen nga Eurovizioni i vitit të ardhshëm
Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk do të konkurrojnë në Eurovizionin e vitit të ardhshëm si shkak i kostos që u duhet të paguajnë për pjesëmarrje.
Transmetuesit paguajnë tarifë për të marrë pjesë në garë, por shuma ndryshon në varësi të madhësisë së vendit.
BBC News ka kuptuar se disa vendeve u është kërkuar të paguajnë më shumë pasi Rusisë i’u ndalua pjesëmarrja.
Rusia, si kontribues i madh financiar, u përjashtua nga konkursi i këtij viti për shkak të pushtimit të Ukrainës.
“Përveç kostove të konsiderueshme të tarifave të regjistrimit, si dhe kostos së qëndrimit në Britaninë e Madhe – ne u përballëm edhe me mungesë interesi nga sponsorët, ndaj vendosëm t’i drejtojmë burimet ekzistuese për financimin e projekteve kombëtare aktuale dhe të planifikuara”- tha transmetuesi publik i Malit të Zi RTCG.
Kostoja totale për të gjithë transmetuesit e përfshirë për të hyrë zakonisht shkon mbi 5 milionë euro, por saktësisht se sa paguan secili pjesëmarrës nuk bëhet publike.
Kuptohet gjithashtu se disa vende të tjera po ashtu, po konsiderojnë të tërhiqen si rezultat i kostos shtesë.
Mes 8 dhe 17 milionë funta pritet të paguaj BBC për të organizuar eventin, në emër të Ukrainës, në Liverpool në maj 2023.
MRT në një deklaratë tha se “rritja e tarifës së regjistrimit për pjesëmarrje”, si dhe kriza energjetike në Maqedoninë e Veriut i detyroi të marrin këtë vendimi.
Organizatorët e konkursit të këngës – EBU – thanë se “janë të përkushtuar të mbajnë kostot e pjesëmarrjes sa më të përballueshme” dhe tarifat e saj “llogariten bazuar në numrin e vendeve që konkurrojnë duke marrë parasysh madhësinë relative të anëtarit dhe statusin financiar “.
Lista e plotë e vendeve që shkojnë në Merseyside në 2023 pritet të konfirmohet më vonë këtë javë.