Autori i mozaikut Fatos Kabashi. Foto: Fatos Kabashi

‘Muri i kujtimit’, mozaiku që përjetësoi fotografinë e cila tronditi botën

Gjashtë muaj i janë dashur grafistit Fatos Kabashi për të realizuar mozaikun monumental, “Muri i kujtimit”.

Mozaiku është krijuar sipas fotografisë së reporterit të “Reutersit”, Damir Sagolj, ku pasqyrohej kolona e shqiptarëve të dëbuar për në Maqedoni, gjatë luftës së viti 1999, me fokus Sherife Lutën dhe vajzën e saj të vogël.

Mozaiku ‘Muri i kujtimit’. Foto: Fatos Kabashi

2.7 metra i lartë dhe gjatësi 15 metra, e i punuar nga qindra mijëra gurë të vegjël, mozaiku, “Muri i kujtimit” është vendosur në  Qendrën Përkujtimore, “Bllaca ‘99” në Han të Elezit, për të kujtuar gjithë atë se çfarë ndodhi në pranverën e 1999-ës.

Krijuesi i këtij mozaiku, Fatos Kabashi ka thënë në një bisedë për Kallxo.com se ideja për realizimin e këtij mozaiku ka ardhur nga Jahja Lluka, kryetar i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur dhe Luan Tashit.

“Mozaikun kam filluar ta punoj qysh nga 15 tetori të vitit 2020 dhe punimet kanë vazhduar intenzivisht deri me 20 mars të vitit 2021. Gjithë punën për realizimin e këtij mozaiku e kam bërë në vendpunishten time në Krushicën e Ulët të Komunës së Suharekës”, ka thënë Kabashi.

Mozaiku ‘Muri i kujtimit’. Foto: Fatos Kabashi

Kabashi ka thënë se për realizimin e mozaikut, “Muri i kujtimit” i është dashur të përdorë, materiale rezistente për të përballuar kushtet atmosferike.

“Materialet që i kam përdorur në këtë vepër artistike janë gurët natyral të përpunuar, ngjitës profesional për mozaikë, rrjetë dhe impregnim kundër lagështisë për ta mbrojtur mozaikun nga reshjet atmosferike”, ka thënë Kabashi.

Kabashi ka thënë se ka derdhur gjithë talentin e tij që çdo detaj të fotos ku shihen refugjatët shqiptarë, veçmas, nëna dhe e bija e saj e vogël, ta kthej në mozaik.

Mozaiku ‘Muri i kujtimit’. Foto: Fatos Kabashi

Për realizmin e veprës artistike, “Muri i kujtimit” Kabashi është mbështetur nga “Shoqata për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e veta”.

Mozaiku monumental, “Muri i kujtimit” është vendosur më 10 prill 2021 në Qendrën përkujtimore “Bllaca 99” në Bllacë të Hanit të Elezit, për të shënuar 22 vjetorin e dëbimit të shqiptarëve nga regjimi serb, në mars 1999.

Qendra përkujtimore “Bllaca ‘1999” është përuruar në mars të 2019,  në 20 vjetorin e dëbimit të shqiptarëve gjatë luftës.

Autori i mozaikut Fatos Kabashi. Foto: Fatos Kabashi

 

Mozaiku ‘Muri i kujtimit’. Foto: Fatos Kabashi

 

Mozaiku ‘Muri i kujtimit’. Foto: Fatos Kabashi