Filarmonia e Kosoves - KALLXO

Mungesa e sallës koncertale shton shpenzimet e Filharmonisë së Kosovës

Mijëra euro gjatë një viti detyrohet të paguajë Filharmonia e Kosovës për shfrytëzimin e sallave për mbajtjen e koncerteve në kuadër të repertorit të saj të rregullt.

Në mungesë të një salle adekuate për koncerte të muzikës klasike, Filharmonia e Kosovës (FK) detyrohet që koncerte t’ i mbajë në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, ose në ndonjë sallë tjetër alternative.

Vetëm për një koncert ky institucion detyrohet të paguaj deri në 1000 euro qira.

Për shkak të kushteve joadekuate që ofrojnë ato salla, Filharmonia detyrohet të marrë me qira edhe ulëset për publikun.

Kostoja e shpenzimeve të qirasë varion varësisht nga numri i koncerteve që ky institucione mban gjatë sezonit.

Në bazë të dokumenteve të ofruara nga Filarmonia e Kosovës vetëm për koncertin e realizuar më 02.02.2020 FK-ja ka paguar 236 euro në emër të qirasë për shfrytëzimin e Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe 140 euro për huazimin e karrigeve për shfrytëzim për koncertin.

Ndërkaq, për mbajtjen e koncertit të datës 02.06.2019 Filharmonia ka paguar 500 euro për shfrytëzimin e Sallës Bogdanopolis në Katedralen “Nënë Tereza në Prishtinë.

Baki Jashari drejtor i Filharmonisë së Kosovës ka thënë për KALLXO.com se për mungesë të një salle adekuate menaxhmenti i FK-sës detyrohet që gjejë alternativa dhe për këtë edhe duhet të paguajë qiranë për sallat eshfrytëzuara.

Për më keq, shton ai, ato salla as për së afërmi  nuk i plotësojnë kushtet që nevojiten për koncertet që mban institucion që ai drejton.

“Të vetmen hapësirë  në kryeqytet ku mund t’ i zhvillojmë koncertet është Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë dhe natyrisht se varësisht prej numrit të ditës që e shfrytëzojmë duhet të paguajmë shfrytëzimin, p.sh për një ditë duhet të paguajmë mbi 200 euro,  e nëse na duhet të shfrytëzojmë sallën 5- 6 ditë atëherë shpenzimet arrijnë afër 1000 euro”, ka thënë Jashari.

Ai ka thënë se Filharmonia është detyruar të paguajë shfrytëzimin edhe të sallave tjera për koncertet që mban në kryeqytet apo qytetet tjera brenda vendit.

Disa koncerte të repertorit të saj, FK-ja i ka mbajtur në Sallën e madhe të Filharmonisë së Shkupit në Maqedoninë e Veriut.

Për shfrytëzimin e Sallës së Filharmonisë së Shkupit vetëm për një koncert FK-ja ka paguar 1200 euro, në emër të qirasë.

“Kushtet që janë në Sallën e Kuqe, ku zakonisht Filharmonia mban koncertet, as që mund të krahasohen me kushte që ofron Salla e madhe e Filharmonisë së Shkupit, në të gjitha aspektet”, ka thënë Jashari.

Filharmonia e Kosovës ende nuk ka një objekt të saj apo sallë të ku do të mbante koncertet në kuadër të repertorit vjetor.