Mungesa e buxhetit zvarrit renovimin e objektit kryesor të Muzeut Etnologjik

Për më se tri vjet Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dështuar të bëjë renovimin e objektit kryesor të Muzeut Etnologjik në Prishtinë, i njohur si Kompleksi Etnologjik ‘Emin Gjiku”.

Edhe për 2019, MKRS renovimin e këtij objekti e kishte renditur në prioritetet e saja, duke ndarë edhe një shumë prej 30 mijë eurove. Por, objekti krysor i Muzeut Etnologjik ka hyrë në 2020-ën ashtu siç e nisi 2019-ën.

Zyrtarë të MKRS kanë thënë për Kallxo.com se arsyeja që ka bërë që të shtyhet renovimi i objektit kryesor të Muzeut Etnologjik është mungesa e mjeteve financiare.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës, në MKRS ka thënë për Kallxo.com se nuk ka asnjë arsye tjetër përveç mungesës se buxhetit, që ka shtyrë renovimin e objektit.

Sipas saj, punimet ne ndërtesën kryesore të Kompleksit Etnologjik “Emin Gjiku” janë zbatuar gjatë vitit 2017 në kuadër të ndërhyrjeve  preventive, me theks të veçantë në konsolidim të strukturave.

Ky objekt shton më tej Aliu ka pësuar ndërhyrje nder vite si dhe te tjera intervenime e te cilat kanë ardhë në pah vetëm pas hapjes se sondave dhe ekzaminimeve te bëra ne ndërtesë.

Aliu sqaron se para fillimit të punimeve janë marrë masa për mbrojtjen e ndërtesës nga depërtimi i reshjeve, ndërsa shton se është bërë një raport i detajuar për gjendjen dhe masatë marrë i cili më pas siç shton ajo ka shërbyer si bazë për hartimin e projekti për renovimin e objekti.

“Projekti  i konservimit-restaurimit është miratuar nga Komisioni profesional i Institutit të Kosovës për Mbrojtje te Monumenteve dhe i njëjti është dorëzuar ne procedure te tenderimit. Për shkak të rëndësisë, kemi kërkuar edhe procedure te negociuar ne përputhje me Ligjin e Prokurimit, por nuk është lejuar. Sa i përket procedurës se rregullt te prokurimit, ka qene problem për shkak që buxheti në dispozicion për 2019 ( 30.000 euro ) për këtë projekt ishte i pa mjaftueshëm”, ka thënë ajo për Kallxo.com

Aliu ka thënë se  në  kuadër te kërkesës për planifikim buxhetor për vitin 2020 projekti për ndërtesën kryesore të “Emin Gjikut”, është renditur si prioritet dhe Departamenti i Trashëgimisë Kulturore ka kërkuar 120 mijë euro për realizim të plotë të projektit për renovim.

Përveç dështimit për të rinovuar objektin e Muzeut Etnologjik, MKRS ka dështuar të realizojë edhe dhjetëra projektet tjera kulturore kapitale të planifikuara për 2019.