‘Mposhtet’ ideja e Tom Cruise për realizim filmi në hapësirë, në Rusi përfundon filmi që u xhirua 400 km mbi tokë

Rusia ka publikuar një trailer për filmin “The Challenge”, filmi i parë artistik që është xhiruar në hapësirë.

Është xhiruar rreth 400 kilometra mbi Tokë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) në vitin 2021 – para pushtimit të Ukrainës – dhe do të shfaqet muajin e ardhshëm, duke e bërë atë filmin e parë në të cilin aktorët dhe regjisori dërgohen në hapësirë për xhirime filmi.

Në vitin 2020, ylli i Hollivudit, Tom Cruise, së bashku me regjisorin Doug Liman, i patën zbuluar planet për të udhëtuar në Stacionin Hapsinor ISS për të xhiruar një film artistik në bashkëpunim me SpaceX të Elon Musk dhe NASA.

Por që atëherë nuk ka ende asnjë shenjë nga ai film.

“The Challenge” ka të bëjë me një kardiokirurge femër të quajtur Zhenya (rolin e së cilës e luan aktorja ruse Yulia Peresild) e cila është pjesë e një ekipi mjekësh të dërguar për ta operuar një kozmonaut (rolin e së cilit e luan astronauti aktual Oleg Novitskiy) i cili e humb vetëdijen ndërkohë që është i stacionuar në ISS.

Peresild dhe producenti-regjisori Klim Shipenko udhëtuan në ISS së bashku me kozmonautin Anton Shkaplerov në tetor të vitit 2021 dhe kryen xhirime filmi gjatë 12 ditëve.

Në korrik 2022, Yuri Borisov, udhëheqësi i sapoemëruar i agjencisë ruse të hapësirës Roscosmos, tha gjatë një takimi me Presidentin Vladimir Putin se Rusia do t’i përmbushë detyrimet e saj ndaj partnerëve të saj në ISS përpara se të largohej nga projekti në vitin 2024./Politico.eu

Përgatiti: Nuhi Shala