‘Mollëkuqet' e Gjilanit po marrin pjesë në festivalin e muzikës në Romë të Italisë  

Nxënëset e Qendrës Kulturore -Artistike, “Mollëkuqet” nga Gjilani po marrin pjesë në festivalin Ndërkombëtar të Muzikës dhe Artit, “Viva Italia 2020” që po mbahet në Romë të Italisë.

Tetë nxënëset e kësja qendre: Ilda Nuhiu, Edisa Ahemdi, Klea Dina, Yllza Hasani, Lina Demiri, Agnesa Sejdiu dhe Anesa Demaj, do të përfaqësojnë Kosovën në disa kategori të këtij festivali ndërkombëtar të këngës.

Drejtoresha e QKA “Mollëkuqet’, Arta Haziri – Nuhiu ka thënë për KALLXO.com se nxënëset kosovare do të prezantohen në disa kategori garuese të festivalit me këngë në gjuhë shqipe, por edhe ato të huaja.

“Ky është festival i këngës dhe tetë nxënëset tona do të prezantohen në disa kategori garuese të këtij festivali: në rok, pop, xhaz, klasik dhe në walk- hit. Në natë e parë solistet tona paraqiten me këngë të njohura nga muzikës jonë dhe do t’i këndojnë në gjuhën shqipe, ndërsa në natën e dytë në gjuhë të huaja”, ka thënë drejtoresha Arta Haziri – Nuhiu.

Festivali “Viva Italia 2020” do të mbahet deri më 19 të këtij muaji dhe marrin pjesë 50 shtete nga mbarë bota, duke përfshirë edhe Kosovën, që do të përfaqësohet me nxënëset e QKA “Mollëkuqet nga Gjilani.

Deri më tani “Mollëkuqet” gjilanase kanë përfaqësuar Kosovën edhe në disa festivale tjera duke sjellë edhe çmime.