MKRS u ndau mbi 96 mijë 7 organizatave për trajnimin e të rinjve

Mbi 96 mijë euro i ka kushtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit trajnimi i 300 të rinjve në fushën e ndërmarrësisë dhe planeve të biznesit.

Shtatë organizata joqeveritare kanë përfituar një shumë prej 96,630 për trajnimin e 300 të rinjve në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Trajnimi i të rinjve është bërë në kuadër të Planit të Veprimit për Punësimin e të Rinjve 2018-2020 të MKRS-së, e cila ka mbështetur OJQqë veprojnë si ofruese të trajnimeve me projektet e tyre që kontribuojnë  në rritjen e punësimit përmes ofrimit të shërbimeve cilësore të punësimit për të rinj të moshës 18-24 vjeç.

Zyrtarë të MKRS-së kanë thënë për KALLXO.com se për trajtimin e të rinjve në fushën ndërmarrësisë dhe planeve të biznesit janë mbështetur 7 OJQ me 96,630 euro.

“Janë përkrahur gjithsej 7 organizata implementuese të cilat kanë trajnuar të rinj nëpër rajone të ndryshme të Kosovë.Për trajnimin e 300 të rinjve janë ndarë 96,630 € për këto 7 organizata”, ka thënë Feim Hoxha, drejtor i Departamenti të Rinisë në MKRS.

Ndërsa OJQ që ishin licencuar për të mbajtur trajnimet janë: D&D Business Support Center, Smart Innovation Center, Business Support Center Kosovo –BSCK, Institute for Management  and Development, Instituti Cilësor për Hulumtime, Analiza dhe Trajnime ICHAT, shoqata humanitare bamirëse “Nëna Terezë” dhe Agjencia për Zhvillim rajonal –Jug.