MKRS shkel Ligjin, nuk publikon Listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nuk e ka publikuar në faqen e saj zyrtare Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme me afat 1-vjeçar ( tetor  2019- tetor 2020).

Me këtë veprim MKRS nuk e ka kryer obligimin e saj ligjor duke lënë pa mbrojtje mijëra asete të trashëgimisë kulturore.

Që nga viti 2014 MKRS çdo vit shpall listën e aseteve nën mbrojtje të përkohshme. Lista e fundit e trashëgimisë kulturore në mbrojtje është publikuar në mars të vitit 2019. Por asetet që ishin në këtë listë, mbi 1.590 sosh, kishin afat të mbrojtjes ligjore deri në tetor të 2019.

“Asetet e përfshira në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme do të jenë nën mbrojtje për 1 vit, gjegjësisht, për periudhën 10.10.2018 deri me 10.10.2019”, thuhet në pikën 3 të vendimit për Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.

Por, MKRS-ja nuk ka publikuar listë për periudhën tetor 2019- tetor 2020.

Zyrtarë të MKRS-së nuk kanë dhënë shpjegime rreth mospublikimit të Listës pas skadimit të afatit të Listës vitin e kaluar, deri në publikimin e artikullit. Por kanë thënë se Lista publikohet të muajin tetor.

“Ministria si çdo vit edhe këtë vit e publikon Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme, brenda afateve ligjore edhe atë në fillim të muajit tetor”, thuhet në përgjigjen e MKRS për Kallxo.com, por pa dhënë shpjegime për mospublikimin e Listës për këtë vit.

Në anën tjetër, zyrtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore kanë thënë për KALLXO.com se hartimi i Listës është përgjegjësi dhe obligim ligjor që ka Ministria e Kulturës.

Isuf Koci, udhëheqës ekzekutiv në KKTK ka thënë për KALLXO.com se çështja e mbrojtjes se përkohshme në mënyrë detaje trajtohet në nenin 3 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore.

Sipas tij, Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme duhet të jetë rezultat i procesit të inventarizimit nga i cili përzgjidhen ato asete të cilat kanë vlera të trashëgimisë kulturore  dhe fitojnë statusin e asetit në mbrojtje të përkohshme.

“Gjithashtu Ligji përcakton se mbrojtja e përkohshme nuk mund të jetë më shumë se një (1) vit, gjë qe Republika e Kosovës vazhdon këtë listë më disa plotësime që bëhen për pothuajse 10 vite. Kjo paraqet një problem shumë serioz, dhe në të njëjtën kohë mund të dëmtoj trashëgiminë kulturore”, ka thënë Koci.

Trashëgimia kulturore, shton më tej Koci,  në bazë të nenit 3 paragrafi 3.7 ka atribute të njëjta me trashëgiminë kulturore nën mbrojtje të përhershme. Gjithashtu asetet e trashëgimisë kulturore të përfshira në Listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme  në bazë të nenit 4 paragrafi 4.6 duhet të regjistrohen nё Agjencionin kadastral, gjë qe në bazë të informatave një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Mendojmë se kjo çështje është e interesit të veçantë dhe Ministria e Kulturës duhet të ketë një qasje më serioze dhe asetet të cilat kanë vlera dhe rëndësi për trashëgiminë kulturore të përfshihen në mbrojtje të përkohshme, dhe pa humbur kohë të propozohen pranë KKTK-së për shpallje në mbrojtje të përhershme, pasi që siç e ceka edhe me lartë mbrojtja e përkohshme ka afat dhe nëse asetet nuk propozohen për shpallje në mbrojtje të përhershme dhe nuk e fitojnë këtë status, ato mund të humbin edhe statusin e mbrojtjes se përkohshme”, ka thënë Koci për KALLXO.com.

Ligji për trashëgiminë kulturore në nenin tre të Ligjit për trashëgiminë kulturore në mënyrë të detajuat sqarohet edhe çështja e mbrojtjes se trashëgimisë kulturore.

Bazuar në kritere të caktuara përmes një akti nënligjor dhe në pajtim me nenin, thuhet në nen tre të këtij Ligji,  institucioni kompetent përzgjedh nga inventarizimi i trashëgimisë kulturore gjetjet dhe objektet për t’u dhёnë nё mbrojtje të përkohshme në kuadër tё Listës sё trashëgimisë kulturore.

“Objektet e përfshira në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme duhet të jenë nën mbrojtje të përkohshme për një vit. E drejta për kompensim për ndonjë humbje financiare bartet në gjykatë nëse objekti nuk është nën mbrojtje të përhershme pas një viti. Kompensimi i tillë vlerësohet nga një komision i pavarur që themelohet nga Këshilli i Kosovës për trashëgimi kulturore”, thuhet në  nenin 3 të Ligjit për trashëgiminë kulturore.

Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com