Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës

MKRS lë pa rroga punëtorët e lokalitetit arkeologjik në Dresnik

Dhjetëra punëtorë të lokalitetit arkeologjik të Dresnikut të Klinë po hynë në muajin e pestë pa marrë rrogat e tyre.

Janë 18 punëtorë të angazhuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës (IAK) të cilët nuk kanë marrë 4 rrogat e fundit; të gushtit, shtatorit, tetorit dhe nëntorit.

Shkas për mospagesën e këtyre punëtorëve është bërë MKRS e cila ia ka ndaluar IAK-së që të paguajë punëtorët e saj në terren sipas Rregullores së 2009, për pagesat e punëtorëve për punë në terren që angazhohen nga institucionet e trashëgimisë kulturore.

Kjo rregullore është anuluar që nga 2017, por në mungesë të rregullores së re, IAK kishte vazhuar pagesat për punëtorët e angazhuar në terren në bazë të rregullores së anuluar.

Ministria e Kulturës ende nuk ka bërë një rregullore për pagat e punëtorëve të angazhuar në terren nga institucionet e trashëgimisë, duke vështirësuar gërmimet arkeologjike që kryhen në terren nga IAK-ja.

Enver Rexha, drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovë, ka konfirmuar për Kallxo.com se këta 18 punëtorë ende nuk i  kanë marrë rrogat e tyre.

“Punëtorët kanë 4 muaj pa marrë rrogat e tyre. Aktualisht të angazhuar për punë në Dresnik janë 18 punëtorë, disa punojnë që nga 2012, staf teknik, të cilët janë të anagzhuar me kontrata mbi punën mujore”, ka thënë ai për Kallxo.com.

Ai ka thënë se shkas për këtë është bërë një vendim i MKRS për të mos lejuar pagesa siç është bërë deri në gusht me rregulloren e 2009-ës.

“MKRS po konkludon se janë shkelur ose se është njëfarë keqmenaxhimi i këtyre e punëve që janë bërë në muajt të fundit. Problemi është se si qenka e mundur që një rregullore paska vlejtur deri në muajin gusht të 2019, e tash po zbulohet se paska qenë keqmenaxhim, dhe në kundërshtim me Ligjin për financat publike”, ka thënë ai.

MKRS nuk është përgjigjur në pyetjet e Kallxo.com lidhur me mospagesën e pagave për 18 punëtorët e angazhuar në lokalitetin e Dresnikut dhe mos miratimin e rregullores së re për pagesat e punëtorëve në terren të angazhuar nga institucionet e trashëgimisë.

Kallxo.com ka kontaktuar edhe me punëtorë të angazhuar nga IAK në punë në Dresnik të cilët konfirmuan se mujat e fundit nuk i kanë marr rrogat.

Në Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat vjetore të MKRS për 2018 konstatohet se pagesat në vlerë 273,913€ për punëtorët e angazhuar për punë në teren nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, janë bërë sipas Rregullores nr. 01/2009 për pagesën e punëtorëve në teren e cila është e shfuqizuar me vendim të qeverisë.

“Pagesat në vlerë 273,913€ për punëtorët e angazhuar për punë në teren nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, janë bërë sipas rregullores nr. 01/2009 për pagesën e punëtorëve në teren e cila është e shfuqizuar me vendim të qeverisë. Kjo çështje është duke u përsëritur ndër vite për shkak se MKRS nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim përkundër faktit që IAK kishte hartuar një draft rregullore”, thuhet në Raportin e ZKA për pasqyrat financiare të MKRS për 2018.

Gërmimet arkeologjike në fshatin Dresnik të Komunës së Klinës nisën në vitin 2012-të dhe që atëherë janë duke vazhduar. Pa kod buxhetor, problemet financiare për IAK-në, për pagesat e rrogave të punëtorëve dhe pagesave për materialet për gërmime u thelluan pas mbylljes së xhirollogarisë nga ana e MKRS në gusht të 2018.