MKRS e gatshme të nisë procedurat për konkursin e ri për udhëheqës artistik të Teatrit Kombëtar

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është e gatshme që të nisë proceduar për rishpalljen e konkursit për udhëheqës artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Zyrtarë të MKRS-së  kanë potencuar për KALLXO.com se pas dorëheqjes apo mospranimit të pozitës së udhëheqësit artistik të TKK-së, nga Fatos Berisha, MKRS do të iniciojë procedurat e reja të rekrutimit përmes konkursit publik.

Zyrtarët e MKRS-së nuk kanë dhënë ndonjë datë, por kanë potencuar se gjithçka do të kryhet brenda afateve ligjore.

Regjisori Fatos Berisha, i cili është dashur që ta marrë pozitën e udhëheqësit artistik të TKK-së, u tërhoq nga kjo pozitë javë më parë, duke lënë TKK-në pa zyrtarin e saj më të lartë artistik.

Feim Maliqaj, drejtor i Departamentit të  Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme në MKRS-së, ka potencuar në prononcim për KALLXO.com se do të iniciohet procedura e re e rekrutimit përmes konkursit publik për zgjedhjen e udhëheqësit të ardhshëm të Teatrit Kombëtar.

“Lidhur me situatën e krijuar me rastin e mos pranimit të detyrës nga ana e Fatos Berisha, me qenë se ky proces nuk i takon shërbimit civil, dhe ka specifika plus, atëherë sipas komunikimit të brendshëm në MKRS, dhe kërkesës së KD të TKK-së, ju informoj se në këtë rast do të iniciohet procedura e re e rekrutimit përmes konkursit publik dhe atë sipas afatit optimal ligjor”, ka thënë drejtori Maliqaj.

Për hapje të një konkursi të ri për zgjedhjen e një udhëheqësi të ri është deklaruar dhe Këshilli Drejtues i TKK-së.

“Ne si KD kemi kërkuar që të ketë konkurs dhe sipas të gjitha mundësive do të kemi së shpejti një konkurs të ri”, ka thënë për Kallxo.com, Fisnik Ademi, kryetar i KD-së së TKK-së.

Javë më parë regjisori Fatos Berisha nuk pranoi të marrë detyrën e udhëheqësit artistik, duke ia bërë të ditur vendimin e tij edhe KD-së përmes një letre më 14.10.2019 dhe e kishte arsyetuar me çështje profesionale.

Berisha ishte zgjedhur drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës më 21 qershor 2019 nga Këshilli Drejtues i TKK-së, në bazë të konkursit të datës 22 maj 2019.

Pas situatës së krijuar KD-ja emëroi aktorin Adrian Morina në pozitën e ushtruesit të detyrës së udhëheqësit artistik dhe MKRS i mbeten më së shumti 6 muaj për të hapur konkursin e ri për zgjedhjen e një udhëheqësi të ri artistik të TKK-së.