Ministri Hajrulla Çeku gjatë konferencës për media. Foto: Isa Vatovci/KALLXO.com
MKRS dorëzoi kallëzim penal në Prokurori ndaj kryetarit të Prizrenit Shaqir Totaj
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dorëzuar kallëzim penal sot më 21.08.2024, në Prokurorinë Themelore në Prizren ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, lidhur me rrënimin e “Kompleksit Saraj i Vjetër”.
Kështu ka bërë të ditur ministri i MKRS, Hajrulla Çeku, gjatë një konference të mbajtur sot (21.08.2024).
Ministri Çeku tha se bashkë me Totajn, MKRS ka dorëzuar kallëzim Penal edhe ndaj drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, bashkëpunëtoren profesionale të po kësaj komune dhe drejtorisë përkatëse; drejtoreshës së Departamentit Ligjor të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit, Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe pronarit privat – investitorin, për shkelje të rendit kushtetues si të dyshuar për rrënimin e këtij aseti të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje, “Kompleksi Saraj i Vjetër” në Prizren.
“Kodi penal i Kosovës, veprat e klasifikuara si dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuara monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës i dënohen deri më 10 vjet burgim, ndaras si masë pasurore sipas ligjit të trashëgimisë kulturore edhe me gjobë nga një mijë deri 500 mijë euro”- tha Çeku.
Ndërtesat e “Kompleksi Saraj i Vjetër” në Prizren, sipas ministrit Çeku ishin rrënuar më 27.05.2024, për t’i hapur rrugë ndërtimit të ndërtesave kolektive, dy muaj pasi ky kompleks kishte hyrë në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përhershme.
Ai tha se rrënimi i këtij kompleksi, dy ndërtesat e ish-Fabrikës Farmakos dhe burgu nga ku kanë mbetur vetëm themelet, është mundësuar në bazë të dy lejeve, për rrënim dhe për ndërtim të lëshuar nga Komuna e Prizrenit.
“U rrënua më datën 27 maj, nga pronari privat me qëllim të ndërtimeve për banim kolektiv, ndërsa kjo u bë e mundur nga Komuna e Prizrenit dhe personat e lartcekur të cilët konsiderojmë se kanë bërë shkelje flagrante të Ligjit për trashëgiminë kulturore, kanë vepruar pa autorizime ligjore duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare. Kurse, mosveprimi apo aprovimi heshturazi për shkeljen kushtuese të ligjeve në fuqi nga drejtoresha e departamentit Ligjor nga MMPHI përbën po ashtu vepër penale në vete sipas kodit penal të Kosovës”- tha ai.
“Veprimi i rrënimit është realizuar në saje të dy lejeve të lëshuara nga Komuna e Prizrenit, leja për rrënime lëshuar më 15 janar 2024 dhe leja për ndërtim e lëshuar më 4 prill 2024, të dyja këto leje të lëshuara në kundërshtim me Ligjin për trashëgiminë kulturore dhe Ligjin për ndërtim”- ka thënë Çeku, duke shtuar se vetëm MKRS dhe institucionet vartëse të kulturës, kanë kompetenca për të lejuar çfarëdo ndërhyrje në çdo aset të trashëgimisë nën mbrojte, qoftë ai edhe nën pronësi private.
Ai tha se MKRS ka ndjekur të gjitha rrugët ligjore lidhur me rasti që nga marrja e informacioneve lidhur me rrënimin e objektit dhe palët kanë qenë të njoftuara se “Kompleksi Saraj i Vjetër” është nën mbrojtje të përhershme dhe ka vlera të veçanta historiko-kulturore.
“Më e pakta që kërkojmë është rikthimi i aseteve në gjendjen e mëparshme nga ata që e kanë shkaktuar dëmin dhe presim nga prokuroria që të kualifikojë veprën penale dhe të ngritë aktakuzën ndaj të dyshuarve dhe gjykata e Kosovës të japë dënim meritor maksimal dhe në përputhje me dëmin e shkaktuar ndaj interesit publik ashtu siç e parasheh kodi penal i Kosovës dhe jo të vazhdohet me praktikën e dënimeve jo serioze sikurse herëve të kaluara”- tha Çeku.
Kallxo.com ka kërkuar një reagim edhe përmes pyetjeve të dërguara në adresë të Komunës së Prizrenit, kryeartit Shaqir Totaj dhe në Departamentin Ligjor të MMPHI lidhur me kallëzimin penal ndaj tyre ndaj tyre nga MKRS po nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e artikullit.
“Kompleksi Saraj i Vjetër” në Prizren konsiderohet një nga hapësirat me vlera historike ku ruhen gjurmë dhe objekte nga shekulli i 19-të dhe 20-të, duke filluar nga ndërtesat e Periudhës Osmane, sikurse ndërtesat e Burgut, Kazermës e postës, për të vazhduar me ndërtesat periudhës moderne.