Takimi i Ministres Dumoshi me Ulrika Richardson dhe Maria Suooko. Foto: MKRS

MKRS dhe UNKT me programe të përbashkëta për fuqizimin e të rinjve

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim koordinatoren e OKB-së për Zhvillim Ulrika Richardson dhe përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së në Kosovë, Maria Suooko.

Temë bosht e këtij takimi ishte Rinia dhe bashkëpunimi për programet e platformat e përbashkëta të cilat i mbështesin të rinjtë.

MMKRS ka bërë të ditur përmes një komunikate për media, se ministrja Dumoshi i ka  informuar të ftuarit  për mjetet dhe mbështetjen që MKRS i ka dhënë të rinjve përmes thirrjeve publike.

Dumoshi ka thënë gjatë këtij takimi, sipas komunikatës, se MKRS ka mbetur e kënaqur dhe njëkohësisht të befasuar për numrin e tejkaluar të të rinjve të cilët kanë aplikuar për ndërmarrësi.

“Parashihej që të trajnoheshin 400 të rinj, mirëpo, si pasojë e këtij interesimi kemi trajnuar 1255 të rinj në total, rrjedhimisht u certifikuan 755 aplikues në trajnime profesionale dhe 500 aplikues në ndërmarrësi. Ky është numri më i madh i të rinjve të trajnuar ndonjëherë dhe për këtë nuk kemi se si të jemi më të kënaqur. Çfarë e ka bërë certifikimin edhe më të rëndësishëm është edhe përfshirja e komuniteteve serbë, ashkali dhe egjiptas, të cilët kanë pasur një entuziazëm të jashtëzakonshëm për aftësitë e mara gjatë këtyre trajnimeve”, citon komunikata të ketë thënë ministrja Dumoshi.

Gjatë këtij takimi Dumoshi ka folur edhe për fondin e rimëkëmbjes prej 5 milionë euro ku parashihet darja e mjeteve financiare e bazuar në tri masa specifike në mënyrë që secilit sektor t’i ofrohet mbështetje relevante.

“Masa 1 i referohet punës në praktikë për të rinjtë të cilët do të kenë mundësinë të angazhohen në sektorin publik dhe privat. Masa 2 i referohet mbështetjes direkte financiare për klubet e sportit që janë të regjistruara në federatat përkatëse sportive, ndërsa, Masa 3 i referohet mbështetjes financiare për organizatat kulturore, krijuesve të pavarur dhe hulumtuesve të kulturës, rinisë dhe sportit”, thuhet në komunikatën e MKRS-së.

Po sipas komunikatës së MKRS-së, koordinatorja e OKB-së për Zhvillim në Kosovë, Richardson dhe Përfaqësuesja e Përhershme të UNDP-së në Kosovë, Suooko e falënderuan ministren për pritjen si dhe ofruan bashkëpunim të mëtejmë midis institucioneve, me theks të veçantë për angazhimin e të rinjve në luftën kundër pandemisë Covid -19.