Mbledhja e Qeverisë. Foto:ZKM

Miratohen kriteret për shpërndarjen e 2.5 milionë eurove për kulturë, rini dhe sport

Qeveria e Kosovës aprovuar sot kriteret për shpërndarjen e fondit emergjent për fushat që mbulohen nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

“Me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është aprovuar Plani i Veprimit me të cilin janë përcaktuar kriteret për ndarjen e mjeteve në vlerë 2.5 milionë euro, sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për zbatim e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike, të datës 29 shtator 2020”, thuhet në vendimin e marrë e marrë sot nga Qeveria e Kosovës.

MKRS përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ndarja e mjeteve financiare do të bazohet në tri masa specifike në mënyrë që secilit sektor t’i ofrohet mbështetje relevante.

“Masa 1 i referohet punës në praktikë për të rinjtë të cilët do të kenë mundësinë të angazhohen në sektorin publik dhe privat duke u kompensuar me 170 € në muaj. Masa 2 i referohet mbështetjes direkte financiare për klubet e sportit që janë të regjistruara në federatat përkatëse sportive. Masa 3 i referohet mbështetjes financiare për organizatat kulturore, krijuesve të pavarur dhe hulumtuesve të kulturës, rinisë dhe sportit”, thuhet në komunikatën e MKRS-së.

Po sipas kësaj komunikate, në momentin e parë që do të transferohen mjetet financiare, MKRS do të fillojë me zbatimin e këtij plani.