Ministrja Dumoshi zhvillon takim virtual me përfaqësues të skenës së pavarur kulturore

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një takim virtual  me përfaqësues të organizatave të skenës së pavarur kulturore.

Takimi në distancë u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për hartimin e një plani emergjent për kulturë, rini dhe sport, pas situatës së krijuar si rezultat i COVID-19.

Ministria përmes një komunikate ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi, ministrja Dumoshi i njoftoi pjesëmarrësit rreth qëllimit të planit emergjent dhe rëndësisë së planifikimit të një procesi transparent dhe objektiv të vlerësimit të përfituesve pas ndarjes së fondit shtesë për MKRS-në.

Përveç hartimit të planit emergjent, sipas komunikatës, ministrja Dumoshi ka premtuar se MKRS do të angazhohet për vlerësimin e aplikimeve për subvencionet e vitit 2020, në mënyrë që organizatat përfituese të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitete alternative apo të sigurojnë qëndrueshmërinë financiare.

“Përfaqësuesit nga skena e pavarur, Ares Shporta (Fondacioni Lumbardhi), Edonis Hashani (Termokiss), Florent Mehmeti (Teatri ODA), Nita Zeqiri (Fondacioni 17) dhe Veton Nurkollari (DokuFest) e njoftuan ministren rreth kërcënimeve që kjo gjendje i bën sektorit në afat të shkurtë dhe afat të gjatë, duke rezultuar në shterjen apo anulimin e programeve dhe festivaleve, duke rrezikuar vendin e punës të shumë punëtorëve dhe bashkëpunëtorëve të skenës si dhe ekzistencën e shumë organizatave aktive të skenës që operojnë gjatë tërë vitit”, thuhet në komunikatë.

Po sipas komunikatës, palët po ashtu diskutuan për bashkëpunim rreth programeve digjitale dhe mënyrave alternative për vazhdim të jetës kulturore dhe përshtatje në rrethanat e reja.

Më tej MKRS njofton se pjesëmarrësit e këtij takimi në distancë janë pajtuar që të koordinojnë komunikimin me organizatat tjera të skenës së pavarur dhe hisedarët kyç, duke ofruar një analizë të rreziqeve dhe kërcënimeve si dhe rekomandime për planin emergjent në kuadër të grupit punues.

Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë pre 50 milionë eurosh për të mbështetur sektorët që mbulon MKRS në kuadër të Pakos emergjente qeveritare për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.