Ministrja Dumoshi takon ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim ambasadoren e Republikës së Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel.

Ministrja Dumoshi dhe ambasadorja franceze kanë biseduar për bashkëpunimin dhe synimet e deritanishme të arritura në fushat të cilat janë në përgjegjësinë dhe mandatin e MKRS-së si dhe vazhdimin e mëtejmë të thellimit të relacioneve mes dy vendeve në këto fusha.

MKRS përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ministrja Dumoshi e ka informuar ambasadoren Butel për programin dhe planet që ka për qëllim t’i realizojë në udhëheqjen e MKRS-së, për bashkëpunimin me partnerët dhe miqtë e Kosovës, konkretisht të Ministrisë.

“Ministrja e njoftoi ambasadoren franceze për përkrahjen që do të ofrojë për institucionet dhe organizatat që merren me kulturë, rini dhe sport dhe angazhimin e saj për të arritur sa më shumë sukses brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, ministrja e ka falënderuar ambasadoren dhe përmes saj qeverinë dhe popullin francez për kontributin e shtetit të Francës që e ka dhënë për Kosovën, si një partner i rëndësishëm dhe shtet mik dhe vazhdon të japë kontribut edhe më tutje me projekte konkrete siç është, fjala vjen Java e Frankofonisë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Ministrja Dumoshi sipas komunikatës gjatë këtij takimi  potencoi faktin se bashkëpunimi dhe përkrahja e shumë projekteve në fushën e kulturës dhe trashëgimisë duhet të vazhdojë dhe ajo tregoi gatishmërinë e saj për ta thelluar bashkëpunimin mes MKRS-së dhe ambasadës duke i forcuar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve përmes kulturës e sportit duke i shkëmbyer përvojat e mira dhe ekspertët e këtyre fushave.

Ndërkaq, thekson më tej komunikata, ambasadorja franceze Marie-Christine Butel është shprehur se bashkëpunimi mes dy vendeve dhe përkrahja ndaj Kosovës, konkretisht ndaj MKRS-së, do të vazhdojë.

“Ambasadorja theksoi se Republika e Francës dhe Republika e Kosovës, si dy vende të pavarura do të vazhdojnë të jenë përkrah njëra-tjetrës dhe ky relacion do të jetë i qëndrueshme dhe do të avancohet edhe në të ardhmen dhe rikonfirmoi se prania dhe mbështetja e Ambasadës në projekte konkrete do të vazhdojë duke u rritur në të ardhmen”, thuhen ndër të tjera në komunikatë.

Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për prioritetet e përbashkëta të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës franceze në Kosovë siç janë: fusha e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore, kinematografia, promovimi i shkrimtarëve dhe librave kosovarë në Francë dhe anasjelltas.