Ministrja Dumoshi paralajmëron strategji për kulturë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka paralajmëruar hartimin e një strategjie për kulturë.

Hartimin e kësaj strategjie ministrja Dumoshi e premtoi gjatë një takimi që ka pasur me një grup të poetëve që janë pjesë e manifestimit letrar “Republika”.

Ministrja Dumoshi ka pritur sot në takim një grup me krijuesit e manifestimit letrar tradicional “Republika” që mbahet çdo vit për nder të përvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, nën organizimin e ‘Social Creativity’ të kryesuar nga Vlora Ademi.

Përmes një njoftimi për media, MKRS njofton se gjatë këtij takimi ministrja Dumoshi ka pohuar se prioritet i saj mbetet forcimi i institucioneve të kulturës si dhe i skenës së pavarur kulturore në Kosovë për të nxitur krijimin e vlerave të mirëfillta kulturore.

“Është e domosdoshme dhe shumë shpejt do të nisim të punojmë për hartimin dhe fillimin e zbatimit të strategjisë për kulturën dhe për këtë gjë do të bashkëpunojmë me institucionet dhe organizatat kulturore përmes një komunikimi të mirëfilltë dhe efikas në mënyrë që t’i jepet përparësi dhe hapësirë vlerave të mirëfillta kulturore”, ka thënë ministrja Dumoshi gjatë takimit me grupin e poetëve.