Ministrja Dumoshi ngushëllon për vdekjen e Violeta Rexhepagiqit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së gazetares dhe këngëtares, Violeta Rexhepagiq.

Përmes një telegrami ngushëllimi dërguar familjes Rexhepagiq, Dumoshi ka potencuar se ndarja nga jeta e Violeta Rexhepagiqit është humbje e madhe për të gjithë.

“Violeta nuk ishte artiste e zakonshme. Të jashtëzakonshme e bënte përpjekja e saj për të thyer tabutë duke sjellë modernitetin në formën më të mirë të tij, në artin e kulturën tonë. Në kohët më të vështira, me muzikalitetin dhe elegancën e saj skenike Violeta, la gjurmën e pashlyeshme në artin kosovar”, thuhet në telegramin ministres Dumoshi.

Pos sipas këtij telegrami, ministrja Dumoshi ka thënë se Violeta do të mbahet gjatë në mend krahas kontributit të madh në fushën muzikore edhe për kontributin e çmuar që ka dhënë për fushën e gazetarisë e informimit, në kohën kur Kosova e paraluftës përballej me tortura e burgosje.

“Violeta Rexhepagiqi ishte udhërrëfyese për artistët e rinj dhe si e tillë do të mbahet mend gjithmonë”, thuhet në telegramin e ministres Dumoshi me rastin e vdekjes së këngëtares, Violeta Rexhepagiq.